Lulzim Berisha, kryetari i grupit të tifozëve "Dardanët", Foto: Facebook

Lirohet kryetari i "Dardanëve”, flet avokati i tij

Kryetari i tifozëve “Dardanët”, Lulzim Berisha është liruar nga paraburgimi dhe nga të gjitha masat e tjera.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar avokati i Lulzim Berishës, Nasuf Hasani.

“Nga java e kaluar i mbrojturi im Lulzim Berisha (Kryetar i tifozërisë kombëtare DARDANËT), është liruar nga të gjitha masat. Lulzim Berisha (Luli), nuk ka fare të bëjë me veprat penale të fajdes, krimit të organizuar, apo skemave piramidale. Prandaj kemi vlerësuar që nga fillimi i këtij procesi hetues se fare nuk ka të bëjë me këtë çështje, prandaj edhe pretendimin tonë të pafajësisë karshi Lulzim Berishës e kanë pohuar edhe disa dëshmitarë të cilët tashmë janë marr në pyetje nga Prokuroria Speciale. Lulzim Berisha ka shprehur gatishmërinë që çdo here t’iu përgjigjet ftesave të Gjykatës, Prokurorisë dhe Policisë, andaj edhe nuk ka pasur asnjë arsye të bazuar që ndaj të njëjtit të shqiptohet ndonjë masë“, tha avokati Hasani për KALLXO.com.

Lulzim Berisha ishte arrestuar në dhjetor të vitit të kaluar në një aksion të gjerë policor nën dyshimin se i njëjti ka qenë i përfshirë në fajde dhe krim të organizuar.

Në lidhje me arrestimin e Berishës kishte reaguar edhe kryetari i FFK-së, Agim Ademi.

Në një prononcim për KALLXO.com, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, kishte thënë se për çështjen e kryetarit të “Dardanëve”, Lulzim Berisha, do të dalin me një qëndrim pasi të merret ndonjë vendim për të.

“Do të dalin me një qëndrim pasi të merret ndonjë vendim për të, pasi tani nuk janë të informuar për këtë gjë”, pati thënë Ademi.

Arrestimin e Berishës në dhjetor të vitit të kaluar e kishte konfirmuar edhe Prokuroria Speciale.

Në dhjetor të vitit të kaluar në një aksion të gjerë policor ishin arrestuar disa persona për përfshirje në fajde dhe krim të organizuar.

Pjesë e kërkimit të policisë dhe arrestimit ishin edhe Lulzim Berisha, kryetar i tifozëve të “Dardanëve” dhe djali i ish- komandantit të UÇK-së, Sabit Geci.

Djali i Gecit është arrestuar disa ditë më parë pasi kishte qenë në arrati.

Ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë.