Lirohen Shqiptarët e Bllokuar në Aeroportin e Beogradit

Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë ka bërë të ditur se është zgjidhur situata e krijuar në Aeroportin e Beogradit ku pak orë më parë një grup i shtetasve shqiptarë qe bllokuar nga policia serbe.

MPJ e Shqipërisë ka bërë të ditur se shtetasit shqiptarë janë lejuar të kalojnë.

Televizioni Top Channel raportoi më herët se një grup sipërmarrësish dhe gazetarësh shqiptarë që udhëtuan drejt Beogradit për të ndjekur kombëtaren në sfidën e saj përballë Serbisë, janë mbajtur të bllokuar për disa orë pa asnjë arsye në aeroportin e kryeqytetit serb.

Për këtë, u desh ndërhyrja edhe e autoriteteve shqiptare.

“Të gjithë qytetarët shqiptarë janë lejuar të dalin nga aeroporti i Beogradit”, ka bërë të ditur MPJ në Tiranë.

“Zgjidhja e situatës në aeroportin e Beogradit u bë e mundur falë këmbënguljes nga ana e Ministrisë së Jashtme Shqiptare”, thuhet në deklaratën e Ministrisë.