Foto: RTV 21

Lirije Kajtazi: Kjo Qeveri e Ka Zanat Korrupsionin

Forumi i Gruas i LDK-së shënoi 28 vjetorin e themelimit.

U vlerësua lartë kontributi i grave të kësaj partie në luftën e Kosovës dhe ndërtimin e shtetit të saj.

Kryetarja e Forumit të Gruas së LDK-së, Lirije Kajtazi, përmendi punën që ka bërë LDK-ja dhe gruaja e LDK-së, për qeverisje të mirë dhe ndërtimin e shtetit.

Ajo tha se ato vazhdojnë të punojnë me një program properëndimor.

Derisa, akuzoi Qeverinë aktuale se e ka kthyer kushtin që BE-ja ia ka vënë Kosovës për luftën kundër korrupsionit, pasi ajo e ka zanat këtë punë.

“Frika është evidente të çdo qytetar, ju për ditë po e shihni edhe një kriter që ishte hequr apo ishte plotësuar për t’u anëtarësuar në BE, kriteri për luftë kundër korrupsioni, iu rikthye kësaj qeverie duke e parë se e kanë zanat këtë punë”, tha Kajtazi.

Ajo foli edhe për shpenzimin e rezervave shtetërore nga Qeveria Haradinaj

“Atë rezervë të financave po e shpenzon kjo Qeveri, në mënyrë jo të drejtë duke bërë ndarje jo të drejtë. Kjo Qeveri është shndërruar në një arkë e cila vetëm bën pagesa pa ndonjë kriter të matshëm”, tha Kajtazi.

Për kontributin e Forumit të Gruas së LDK-së, foli ish kryetarja e këtij forumi, Melihate Tërmkolli, e cila tha se pas masakrës së Jasharëve, forumi i LDK-së, por edhe gjitha forumet tjera organizuan protestën me të madhe, ku 50 mijë gra u nisën për në Drenicë.

“50 mijë gra që nga Prishtina e deri në Fushë Kosovë ishte vargu aty ku Policia i ndali dhe e ndërprenë në fakt se nuk munden ta ndalin, por e ndërprenë marshimin. Sepse Drenica ishte e rrethuar me krejt ato forca policore dhe natyrisht nëse nuk arritëm të shkojmë deri në Drenicë arritëm t’i tregojmë botës së një popull këtu po shfaroset”, theksoi Tërmkolli.

Ajo konstatoi se disa komandantë në emër të çlirimit e kanë uzurpuar qiellin.

“Na e kanë eklipsu qiellin tre apo katër komandantë kot se koti. Që dhjetë vite ne nuk dëgjojmë asgjë tjetër vetëm duke thënë ne e kemi çliruar Kosovën, jo more, Kosovën e çliroi populli i Kosovës, e çliruan qytetarët e Kosovës, e çliruan gratë e Kosovës me Forumin e Grave të LDK-së”, tha Tërmkolli.

Ajo shprehu mirënjohje për ata që kanë rënë për liri.

“Natyrisht ne jemi mirënjohës për krejt ata që kanë rënë për lirinë e Kosovës, për krejt ata që në emrin e UÇK-së kanë bërë krejt ato, por ata besoni nuk janë këtu, ata janë në dhe, ata që kanë luftuar përnjëmend. Këta janë veç do profiterë, që po përpiqen edhe sot ta rrënojnë shtetin”, tha Tërmkolli.