Limaj takohet me Surroin: T’i bëjmë bashkë të gjitha forcat për dialog

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj dhe Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës, Bilall Sherifi kanë zhvilluar një takim me publicistin Veton Surroi dhe Drejtorin e KFOS-it, Luan Shllaku në lidhje me fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi.

“Biseduam për fazën finale të dialogut me Serbinë dhe ishte konstatim i përbashkët se Kosovës, si kurrë më parë, i duhet krijimi i një konsensusi sa më të gjerë për këtë çështje.  Dialogu është temë nacionale dhe do të duhej një gjithë përfshirje dhe konsensus më i gjerë, në mënyre që të kemi një marrëveshje e pranueshme nga të gjithë dhe të jetësohet në praktikë”, ka shkruar Limaj në profilin e tij në “Facebook”.

Ai ka thënë që do të tentojnë t’i bëjnë bashkë të gjitha forcat më të gjithë akterët për një marrëveshje sa më të mirë.

“Ne synojmë që të gjitha kapacitetet tona, resurset tona njerëzore, profesionale e politike t’i angazhojmë së bashku, për shkak se për Kosovën është jetike që në fazën finalë të jenë të përfshirë të gjithë aktorët politikë, shoqëria civile dhe intelektualë të cilët dinë çka duhet bërë, në mënyre që të kemi një marrëveshje sa më të mirë.  Përgëzoj KFOS-in për përpjekjet që po i bën për arritjen e një konsensusi ndërpartiak në këtë fazë”, ka shtuar Limaj.