Ilustrim: Foto: Komuna e Gjilanit

Limaj Paralajmëron Masa në Ndihmë të Prodhuesve Vendorë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka paralajmëruar se do të ketë masa të tjera për të ndihmuar prodhuesit vendorë.

Gjatë një takimi me Shoqatën e Mullisëve të Kosovës, zëvendëskryeministri Limaj, ka thënë se do ndërmarrë veprime të cilat kanë për qëllim stimulimin e prodhuesve vendorë.

“Si Qeveri e Kosovës, jemi të vendosur t’iu ndihmojmë aq sa është e mundur. Janë një serë masash të cilat do të merren më qëllim të stimulimit të prodhuesve vendor. Ju inkurajoj të vazhdoni të punoni dhe ne do të kemi vesh të dëgjojmë shqetësimet tuaja”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrisë.

Limaj ka kërkuar nga Shoqata e Mullisëve të Kosovës që të përmirësojnë kualitetin dhe të mos e rrisin çmimin e grurit.

Kryetari i Shoqatës së Mullisëve, Bashkim Zejnullahu, sipas njoftimit ka thënë se vendimi për vendosjen e masës për miellin nga Serbia i ka ndihmuar shumë atyre.

“Masa që keni marrë na ka dhënë shtytje të madhe. Kjo masë në plane afatgjate do të japë rezultatet e saj. Konkurrenca e brendshme  pas këtij vendimi është rritë pa e rritur çmimin. Ne kemi qenë në një krizë të madhe, pas marrjes se këtij vendimi tani jemi në një gjendje shumë më të mirë”, ka thënë Zejnullahu.

Në njoftim thuhet edhe se përfaqësuesit e Shoqatës së Mullisëve kanë paraqitur edhe shqetësimet e tjera të cilat janë, TVSH-ja e dyfishtë në prodhim, çështja e banderolave dhe tre përqindëshi i tatimit në burim.