Foto: Facebook

Limaj: Obligim yni t’u krijojmë kushte punëtorëve

Teksa uroi 1 Majin, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj e pranoi që është obligim institucional përmirësimi i kushteve të punëtorëve.

“Është obligim yni si institucione që t’u krijojmë kushte ku punëtorët të kenë të drejta të garantuara, ku siguria dhe shëndeti në punë të jenë në nivelin më të lartë”, shkroi Limaj në facebook.

Në Kosovë vdekjet në vendin e punës janë shtuar në 2017-ën në raport me vitin 2016, ndërsa sot u protestua në Prishtinë për kushte më të mira të punëtorëve.

Limaj më tutje shkroi se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka marrë masa për përmirësim të kushteve në punë, pa i saktësuar ato.

“Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, e cila udhëhiqet nga Skender Reçica, ka marrë një sërë veprimesh dhe masash konkrete të cilat kanë për qëllim respektimin e të drejtave të punëtorëve”, shkroi Limaj.