Partnerët e koalicionit PAN

Limaj nuk komenton vendimin e Haradinajt por vetëm ftesën e Speciales

Pas disa orësh të dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar partneri i koalicionit nga NISMA, Fatmir Limaj, i cili nuk ka komentuar vendimin e kreut të qeverisë por vetëm ftesën e Gjykatës Speciale.

“Ftesa për intervistë nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit për kryeministrin e Qeverisë së Kosovës Ramush Haradinaj, është ftesë e padrejtë nga një gjykatë e padrejtë, ashtu sikur që janë të padrejta ftesat për drejtues dhe luftëtarë tjerë të UÇK-së. Fatkeqësisht kjo gjykatë është themeluar nga Kuvendi i Kosovës, prandaj alternativa e vetme është përballja me fakte kundër shpifjeve të armiqeve të Kosovës”, ka shkruar Limaj në facebook.

Tutje Limaj është shprehur i bindur që drejtësia do ta gjejë fjalën e saj karshi ‘shpifjeve’

“Kam bindjen e fortë se Kosova do ta kalojë me sukses edhe këtë sfidë dhe se drejtësia do të ngadhënjejë përballë shpifjeve”, ka theksuar Limaj.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, sot në mbledhjen e qeverisë ka dhënë dorëheqje për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit.

Haradinaj ka deklaruar se po jep dorëheqje nga posti i Kryeministrit, pasi që dëshiron të shkoj në Hagë si qytetar e jo si Kryeministër.

Ai ka deklaruar gjithashtu se taksa ndaj Serbisë duhet të mbetet, ndërsa ka kërkuar nga Presidenti që në afatin kushtetues të kryej konsultimet me partitë politike dhe t`i shpallë zgjedhjet e parakohshme.

 

Historiku i Gjykatës Speciale:

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.

Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.

Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ajo ka filluar punën muajve të fundit, kur ka ftuar disa ish figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.