Konferenca e organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës bashkë Bashkimin e Prodhuesve Shqiptarë - Foto: Facebook

Limaj Kërcënon me Reciprocitet Maqedoninë dhe Bosnjën

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka paralajmëruar masa reciprociteti me Maqedoninë dhe Bosnjën në rast se këto dy vende “do të vazhdojnë të sillen siç janë sjellë deri më sot” me prodhuesit kosovarë.

Këtë paralajmërim Limaj e bëri në një konferencë të organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës me Bashkimin e Prodhuesve Shqiptarë, ku u diskutua mbi qëndrimet e tyre rreth marrëdhënieve tregtare Kosovë- Shqipëri.

“Nuk ka mundësi më që as Bosnja, as Maqedonia të sillen me biznesin e Kosovës siç janë sjellë deri sot. Ose ka me pasë reciprocitet ose nuk ka me funksionu as për ta. Këtu jemi shumë të vendosur”, ka theksuar Limaj.

Më tej ai ka shtuar se nuk do të lejojnë që të ketë edhe më shumë padrejtësi kundrejt prodhuesve vendorë në Bosnje dhe Maqedoni.

“Ne jemi për mundësi të barabarta, për marrëveshjet dhe detyrimet tona ndërkombëtare por jo të njëanshme. Kjo i është bërë e njohur edhe Qeverisë së Maqedonisë edhe Qeverisë së Bosnjës. Do ta ngrisim edhe në CEFTA por nuk do të lejojmë as me u maltretu, as me u fy e as me ju ekspozu padrejtësive prodhuesi i Kosovës në raport me këto dy vende”, ka potencuar Limaj.

05 Shkurt 2018 - 15:44

Dorentina Kastrati 05/02/2018 - 15:44
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend