Fatmir Limaj - Foto: KALLXO.com

Limaj: Gjatë kësaj jave e dërgojmë në Kuvend platformën për dialogun

Kryesuesi i Ekipit negociator të Kosovës, Fatmir Limaj, tha se platforma për dialogun përfundimtar me Serbinë do t’i dërgohet Kuvendit gjatë kësaj jave.

Këtë deklaratë ai e bëri pas një takimi të ekipit negociator.

Limaj tha se delegacioni ka takime të përditshme.

“Sot kemi vazhduar punën me disa detaje të platformës. Shpresoj se do të arrijmë nesër t’i shtojmë disa detaje. Nesër paradite dhe pasdite do të punohet. A do të arrijmë nesër nuk dihet por platforma do të dërgohet në Kuvend brenda javës”, tha Fatmir Limaj.

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka mbledhur sot në një takim presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe anëtarët e Delegacionit Shtetëror, Enver Hoxhaj, Fatmir Limaj dhe Visar Ymeri.

Sipas një njoftimi nga Kuvendi në këtë takim është diskutuar për procesin e fazës finale të Dialogut, me theks të veçantë për Platformën e Dialogut, e cila pritet të miratohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës.

“Pjesëmarrësit në takim u pajtuan që të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës nga pozita dhe opozita, duhet të bëhen bashkë në mbështetje të Platformës së Dialogut, ndërkaq u theksua se uniteti i skenës politike kosovare e forcon pozicionin ndërkombëtar të Kosovës në procesin e Dialogut”, thuhet në njoftim.

https://kallxo.com/platforma-e-dialogut-ben-bashke-lideret-shteterore/?fbclid=IwAR3D03z0OZv9AGlNh7D4eztkrb0HEwMlXLWSmkbtOnPwsDOmqsHFl2slcEo

www.kallxo.com