Zv.kryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj dhe presidenti i FC Barcelona, Josep Maria Bartomeu - Foto: Facebook/FatmirLimaj

Limaj fton presidentin e klubit Barcelona ta vizitojë Kosovën

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, e ka përcjellë mbrëmë derbin spanjoll Barcelona- Real Madrid nga tribunat e klubit katalunas.

Limaj ka treguar se ishte në Camp Nou me ftesë të presidentit të klubit të futbollit Barcelona, Josep Maria Bartomeu, me të cilin e kanë ndjekur përballjen e gjigantëve të futbollit.

Në një postim në profilin e tij në “Facebook”, zëvendëskryeministri Limaj ka shkruar se presidentin Bartomeu e ka njoftuar se Kosova ka plot talentë të rinj të futbollit, të cilët, sipas tij, kanë nevojë për përkrahjen dhe përvojën e klubeve si Barcelona.

“Me këtë rast e ftova presidentin z. Bartomeu që në një të ardhme të afërt ta vizitojë Kosovën për t’i parë mundësitë e mbështetjes që klubi i Barcelonës mund t’ua ofrojë talentëve të futbollit të Kosovës”, ka shkruar Limaj.

“Barcelona është një nga ekipet më me traditë në botë dhe asistenca profesionale që do të mund t’ua ofronte këtu talentëve, do të ishte jashtëzakonisht e madhe”, ka shtuar ai, duke theksuar se “Kosova është e bekuar që ka miq gjithandej botës”.

Derbi i mbrëmshëm spanjoll, i njohur si El Classico, përfundoi pa fitues.

http://kallxo.com/perfundon-pa-fitues-el-classico/

2 me 2 ishte rezultati përfundimtar i kësaj përballjeje.