Fatmir LImaj| Foto: ZKM

Limaj- Erdoganit: Kosova nuk e Shkëmben Miqësinë me Vazalitet

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj është treguar i ashpër ndaj kërcënimeve të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Limaj sonte nga Prizreni ka thënë se askush dhe asgjë nuk mund ta kërcënojë Qeverinë dhe kryeministrin e Kosovës, veç popullit.

Ai theksoi se “duhet ta ketë të qartë presidenti i Turqisë, miqësinë e ka treguar Kosova, por Kosova miqësinë nuk e shkëmben me vazalitet”.

“Askush dhe asgjë nuk mund ta kërcënojë Qeverinë dhe kryeministrin e Kosovës, veç popullit, ai ia ka dhënë mandatin, ai e largon, ai e fuqizon. Asnjë shtet, asnjë lider, asnjë vend, sado i fuqishëm që është, nuk mundet me drejtu e me na tregu se kush mundet me qeverisë më Republikën e Kosovës”, tha Limaj.

Zëvendësi i Hardinajt tha se Kryeministri vetëm ka zbatuar ligjet.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës ka zbatuar Kushtetutën e Kosovës, ka mbrojtur interesin e vendit. Qeveria  e Republikës së Kosovës ka me vazhduar me mbrojtë interesin e vendit dhe kush do që tenton me prek interesin e Republikës së Kosovës do të merr përgjigje të njëjtë”, tha Limaj.

Ai më tutje tregoi se Kosova ka orientim pro-perëndimor.

“Përcaktimi i popullit të Kosovës është përcaktim perëndimor, vizioni jonë është Europa, vlerat qytetëruese të Europës, sepse kombi shqiptar i ka përkitur çdoherë dhe i përket vlerave të civilizimit perëndimor”, tha Limaj.

Zëvendëskryeministri shtoi se vlera më e madhe e kombit shqiptar është mikpritja dhe individë të papërgjegjshëm kanë tentuar ta sulmojnë vlerën më të ndjeshme dhe më të pasur të kombit shqiptar.

“Asnjëherë Kosova nuk ka pre në besë dhe nuk ka dorëzuar, siç ka ndodhur herën e kaluar dhe kjo nuk është vepër e Kosovës, por kjo është vepër e dyshimtë për interesa personale”, përfundoi Limaj.