Likuidimi i ‘Apikos’ dhe ‘Ilirisë’ Shihet si Bllokim i Deçanit

Likuidimi i ndërmarrjeve të Deçanit “Apiko” dhe “Iliria” shihet me dyshim nga kryetari Rasim Selmanaj.

“Në qoftë se është për privatizim, ne në parim nuk jemi kundër, por në qoftë se bëhet fjalë për likuidim dhe aspekte që unë po dyshoj që mund të jetë ndonjë skenar i keq, atëherë ne jemi kundër, sepse qëndrimi i Komunës së Deçanit rreth pronave të ‘Apikos’ dhe ‘Ilirisë’ është i pandryshueshëm”, tha Selmanaj për KALLXO.com.

Në maj të vitit të kaluar Gjykata Kushtetuese ia njohu pronësinë e 24 hektarëve të këtyre ndërmarrjeve Manastirit të Deçanit. Këtij manastiri kjo pronë i ishte dhuruar nga Qeveria e Serbisë në vitin 1997.

Por Rasim Selmanaj përsëriti edhe njëherë për KALLXO.com se Komuna e Deçanit nuk do ta pranojë këtë vendim të gjykatës të cilin e quajti politik.

Megjithatë, Selmanaj nuk është kundër privatizimit të këtyre ndërmarrjeve, sidomos siç thotë nëse ato blihen nga ndonjë shqiptar.

“Në qoftë se procesi do jetë i pastër që me dalë në privatizim dhe me i marrë ndonjëri prej investitorëve shqiptarë, në parim jemi për, sepse kjo do të ishte një prej zgjidhjeve të mira në kontestin që ka ketë rast komuna, përkatësisht ndërmarrjet publike ‘Apiko’ dhe ‘Iliria’ në raport me Manastirin e Deçanit”, thotë Selmanaj.

Për shoqërinë civile në Deçan me likuidimin e dy ndërmarrjeve do të humbet beteja për 24 hektarët me Manastirin e Deçanit.

Adem Lushaj nga Shoqata Intelektualët e Pavarur thotë se likuidimi do ta mbajë të bllokuar zhvillimin e Deçanit.

“Ky likuidim i cili do të bëhet definitivisht do t’i japë fund çështjes së këtyre dy ndërmarrjeve duke bërë prapë shkas apo duke vazhduar procesin e bllokimit të zhvillimit të Komunës së Deçanit”, tha Lushaj për KALLXO.com.

Ylli Kaloshi, zëdhënësi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit tha se kjo agjenci respekton vendimet e gjykatave.

“Fillimisht ju sqarojmë se AKP ka obligim ligjor që të respektojë të gjitha vendimet përfundimtare të gjykatave të Kosovës, përfshirë edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Kaloshi.

Ai tregoi se ka pasur takime mes AKP-së dhe zyrtarëve komunalë për të shpjeguar procesin e likuidimit të ndërmarrjeve.

“Të premten e javës së shkuar (me datën 24.03.2017), përfaqësuesit e AKP-së janë takuar me ata të Komunës së Deçanit, përfshirë kryetarin e Komunës,ku gjatë takimit u është sqaruar në detaje procesi i likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore në përgjithësi, dhe në veçanti është biseduar për dy ndërmarrjet e përmendura më lart”, sqaroi Kaloshi për KALLXO.com.