Zyrtari i pyjeve në Mitrovicë dënohet me 3 mijë euro gjobë

Hajriz Kajtazi i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare sot u dënua nga Gjykata e Mitrovicës me 6 muaj burgim.

Burgimi prej 6 mujash me pëlqimin e Kajtazit u zëvendësua në dënim me gjobë në lartësi prej 3 mijë eurosh.

Po ashtu gjykatësi Mentor Hajraj krahas dënimit me gjobë i ka shqiptuar Kajtazit edhe dënimin plotësues ndalimin e ushtrimit të funksionit në administratën publike për 2 vite.

Gjykatësi Hajraj e njoftoi të akuzuarin Hajriz Kajtazi me të drejtën e tij që të paraqesë ankesë në afat prej 15 ditësh në Gjykatën e Apelit.

Kajtazi, zyrtar në Komunën e Mitrovicës për pyje dje ishte ulur në bankën e atë akuzuarit për t`u ballafaquar me akuzën e prokurorisë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Hajriz Kajtazi u deklarua shkurt “ e pranoj fajësinë dhe kërkoj një dënim më të butë se edhe 2 vite pensionohem”.

Pranimin e fajësisë nga i akuzuari Kajtazi e mbështeti prokurori i çështjes Njazi Rexha i cili tha se pranimi i fajësisë është bërë në përputhje me provat që gjenden në shkresat e lëndës.

Gjykatësi Mentor Hajraj mori vendim me të cilën e pranoi pranimin e fajësisë nga i akuzuari Kajtazi dhe dënimin për këtë vepër do ta japë nesër në ora 11:00.

Sipas aktakuzës Kajtazi në tetor të 2019 duke qenë person zyrtar në sektorin komunal të pyjeve në Mitrovicë ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që tjetrit t’i sjelle dobi pasurore duke lëshuar fletpërcjellje  për transportimin e drunjëve në emër të Bajram Mehmetit.

Aktakuza thotë se në feltëpërcjelljen për transportimin e drunjëve në vend të 12 metrave kub dru të llojit ahu ishin shënuar vetëm 1.2 metra.