Zyrtari i bujqësisë në Pejë, Alban Bushati dyshohet se mori 48 mijë euro ryshfet

Alban Bushati është i arrestuari i radhës në rastin e njohur tashmë për opinionin si “Subvencionet 2021”.

Bushati u arrestua gjatë ditës së djeshme në Pejë, pasi dyshohet se ka marrë rreth 48 mijë euro ryshfet në emër të dhënies së subvencioneve.

Sipas Prokurorisë këto para dyshohet se zyrtari i bujqësisë në Pejë i kishte ndarë bashkë me dy zyrtarët e tjerë të arrestuar në këtë rast B. N. dhe S.Sh.

Arrestimi i Bushatit e ka dërguar në 21 numrin e të arrestuarve që dyshohen për dallavere në subvencione.

Një pjesë e të arrestuarve të këtij rasti po mbahen në paraburgim, ndërsa një pjesë e tyre që dyshoheshin për dhënie ryshfeti janë liruar në procedurë të rregullt.

Në paraburgim po mbahen zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë, përkatësisht drejtori për pagesa direkte Luan Statovci dhe zyrtarët Sadat Shkodra, Hasan Maxharraj, Berat Nika, Kushtrim Zogaj dhe Adushe Ukshini.

Fotografime, përgjime telefonike dhe inçizime në zyrat e Ministrisë së Bujqësisë, kishin qenë disa nga masat të cilat ishin përdorur nga Prokuroria gjatë hetimit të këtij rasti.

Sipas dosjes së Prokurorisë të cilën e ka siguruar KALLXO.com, gjatë hetimit të këtij rasti janë vendosur përgjues të fshehtë në zyrën e drejtorit për pagesa direkte në AZHP, Luan Statovci

Në këtë dosje thuhet se Statovci dëgjohet tek bisedon me të dyshuarin Sadat Shkodra, duke bërë plane se si t`i marrin paratë ryshfet të cilat ia kishin kërkuar aplikuesit V. K. Sipas Prokurorisë në këto përgjime dëgjohen edhe të dyshuarit Berat Nika dhe Hasan Maxharraj duke biseduar dhe treguar raste në të cilat kanë marrë para nga personat të cilët kanë aplikuar për subvencione, madje duke i përmendur edhe me emra.

Përgjimet në këtë zyrë sipas Prokurorisë shkojnë edhe më larg, pasi ata bëjnë plane që në vitin 2021 të marrin ryshfet nga 25 mijë euro për aplikues.

Në këtë dosje të Prokurorisë janë përshkruar një nga një shumat të cila dyshohet se personat në fjalë i kanë marrë e që sipas Prokurorisë janë zbuluar gjatë përgjimeve të telefonike.

Prokuroria pretendon se ka siguruar prova të fuqishme në këtë rast madje ka siguruar fotografi dhe incizime të momenteve të dorëzimit të parave.

Në përgjimet e Prokurorisë thuhet se të dyshuarit Berat Nika dhe Luan Statovci dëgjohen duke biseduar me një fermer që dyshohet se u ka dhënë ryshfet.

Pos tjerash Prokuroria pretendon se ka arritur të siguroj prova ku shihet se Adushe Ukshini, e cila është inspektore në AZHB ka pranuar shuma të ndryshme si ryshfet dhe të njëjat shihet duke ia dërguar drejtorit Luan Statovci dhe duke i ndarë me të.

Zyrtarët e arrestuar deri më tani janë drejtori i pagesave direkte Luan Statovci dhe vëllai i tij Salih Statovci, zyrtari i pagesave direkte Sadat Shkodra, zyrtari për zhvillimin e bujqësisë në Istog, Hasan Maxharraj, zyrtari i pagesave në AZHB Berat Nika, zyrtari për politika në Istog Kushtrim Zogaj dhe inspektorja e AZHB-së Adushe Ukshini.

Ndërsa pjesë e dosjes së Prokurorisë janë edhe agronomët Shpejtim Krasniqi, Pajtim Krasniqi dhe Driton Alaj, të cilët po dyshohen për dhënie ryshfeti.

Gjatë bastisjeve janë sekuestruar rreth 433.160 euro, 600 dollar, 200 franga, 275 lira turke, 15 telefona, 8 vetura, një kompjuter, pesë armë, një USB dhe një vulë.

Sipas dosjes së prokurorisë këto para ishin sekuestruar në shtëpinë e Salih Statovcit vëllait të drejtorit Luan Statovci i cili po dyshohet për afera korruptive në lidhje me subvencionet.

Ekskluzive – Të dyshuarve në rastin ‘Subvencioni’ iu montuan mjete përgjuese në zyrë