Zyrtarët policor rrëfehen se nga i morën urdhërat për arrestimin e 6 shtetasve turq

Të akuzuarit në rastin e ‘Gylenistëve’, ish-shefi i AKI-së, Driton Gashi, drejtori i Departamentit të Shtetësisë dhe Azilit, Valon Krasniqi, dhe drejtori i Migracionit, Rrahman Syljemani, janë ballafaqur me dëshmitë e policëve që ishin pjesë e aksionit për arrestimin e gjashtë shtetasve turq.

Në seancën e sotme dhanë dëshminë e tyre zyrtarët policor: Kadri Gashi, Isa Maqastena dhe Vehbi Krasniqi.

Të tre dëshmitarët e dëgjuar në këtë seancë thanë se nuk kishin informacione të detajuara dhe se arrestimet i kanë bërë duke zbatuar urdhërat e eprorëve të tyre.

Ata deklaruan se pas ndalimit të shtetasve turq ishin nisur që ata t’i shoqërojnë në Drejtorinë e Migrimit, mirëpo gjatë rrugës morën urdhra që ata t`i dërgojnë në Aeroportin e Prishtinës.

Sipas Kadri Gashit urdhërat i kishin marrë në mëngjes nga togeri Hamit Rukiqi dhe ishin nisur drejt Gjakovës në shkollën “Mehmet Akif” ku ishte ndaluar njëri nga shtetasit turk.

Po ashtu edhe Isa Maqastena tha se kishin marrë urdhër nga rreshteri Ibrahim Mustafa dhe aksionin e kishin zhvilluar në një lagje të Prishtinës.

Maqastena shtoi se kishin shkuar tek ajo lagje ku kanë takuar një person civil i cili i kishte drejtuar tek shtëpia e shtetasit turq dhe pastaj ishte larguar.

Ndërsa dëshmitari Vehbi Krasniqi tha se aksioni në të cilin ai kishte marrë pjesë ishte zhvilluar në Lipjan, ndërsa personi të cilin kishin për ta ndaluar ishte lajmëruar vetë në DSHAM dhe nga aty Krasniqi e kishte dërguar në Aeroportin e Prishtinës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të tre zyrtarët akuzohen se keqpërdorën pozitën apo autoritetin zyrtar dhe privuan kundërligjshëm nga liria gjashtë shtetasit turq në vitin 2018.

Sipas aktakuzës, në mëngjesin e 29 marsit të 2018, në rrethana krejtësisht misterioze Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Gunakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Jusuf Karabina u arrestuan e më pas u deportuan për në Turqi.

Arrestimi i gjashtë shtetasve turq u bë nga institucionet e Kosovës, ndërsa operacioni për deportimin e tyre, nga ekspertët e fushës u vlerësua se u përcoll me një “mal shkeljesh ligjore”.

Ndonëse i deportuar gabimisht, më 28 janar të vitit 2020, sipas raportimeve të mediave turke, Gunakan u dënua me mbi 8 vite burgim nga Gjykata në Stamboll.

Gashtë shtetasit turq janë të akuzuar për lidhjen e tyre me Fetullah Gylen, njeriun për të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan thotë se qëndron pas grusht shtetit të dështuar të vitit 2016.

Për këtë, operacioni i AKI-së sipas ekspertit amerikan, kishte ‘pushtuar’ zyrat e Policisë së Kosovës, e cila po ashtu përbënte shkelje, sepse sipas legjislacionit në Kosovë, AKI nuk ka kompetenca të organizojë operacione.

Arsyetimi i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë për dëbimin e gjashtë shtetasve turq ishte se ata paraqesin ‘rrezik për sigurinë kombëtare’.

Madje për këtë rast ishte raportuar edhe nga një grup punues i OKB-së, të cilët deportimin e shtetasve turq e kishin konsideruar me shkelje flagrante të të drejtave të njeriut.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com rreth këtij rasti mund t`i lexoni duke klikuar në LINK