Foto: Kallxo.com

Zyrtarët e komunës së Vitisë, të pafajshëm edhe në rigjykim

Florim Rama, Valdet Xoxa për të dytën herë janë liruar nga akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare ndërsa Sami Mjaku për mashtrim në detyrë me të cilat i ngarkonte Prokuroria e Gjilanit.

Ky shqyrtim gjyqësor kishte nisur nga fillimi pasi që Gjykata e Gjilanit në maj të vitit 2019 i kishte liruar të akuzuarit në mungesë të provave, por në shtator Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim, duke pretenduar se aktgjykimi i shkallës së parë është i paqëndrueshëm dhe në kundërshtim me brendinë e tij.

Prokuroria në Gjilan e akuzonte Florim Ramën se në cilësinë e menaxherit për mbikëqyrje të projekteve kapitale në Komunën e Vitisë së bashku me të akuzuarin tjetër, Valdet Xoxa, i cili ishte drejtor i konsorciumit “Kapital X & Kapital” nga Prishtina, kishin tejkaluar kompetencat e tyre.

Kompania e Xoxës, në vitin 2016, ishte kontraktuar nga Komuna e Vitisë për mbikëqyrjen profesionale të projekteve kapitale.

Sipas aktakuzës, Florim Rama e kishte firmosur një raport të Valdet Xoxës rreth një projekti të Komunës së Vitisë edhe pse të dytë e kishin ditur se kompania e ngarkuar për atë projekt nuk e kishte kryer punën.

Ky nënshkrim e kishte obliguar Komunën e Vitisë që t’ia bënte pagesën prej mbi 63 mijë euro kompanisë “Ylli Dekor” në pronësi të të akuzuarit të tretë Sami Mjaku.

Tutje sipas aktakuzës, Sami Mjaku kishte bërë prezantim të rremë të faturave kinse për punët e kryera duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme shumën prej mbi 5 mijë euro.

Në seancën e 3 marsit, prokurori i shtetit Arben Kadriu duke dhënë fjalën përfundimtare pati kërkuar nga Gjykata dënimin e të akuzuarve.

“Kërkoj nga Gjykata dënimin e të akuzuarve pasi që është vërtetuar fajësia e të akuzuarve në atë që i ngarkon aktakuza”, thoshte Prokurori Kadriu, duke mbetur edhe pranë fjalës përfundimtare nga shqyrtimi i kaluar gjyqësor.

Kurse të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre e patën kundërshtuar aktakuzën, duke kërkuar nga Gjykata lirimin nga akuza sikurse kishte ndodhur edhe në dy shqyrtimet e kaluara gjyqësore, ku të akuzuarit ishin liruar nga akuza.

Përfaqësuesi i Komunës se Vitisë, më 3 mars e kishte dërguar një parashtresë në Gjykatë ku kishte deklaruar se nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale për të akuzuarit pasi që sipas asaj parashtrese Komuna nuk ishte e dëmtuar as edhe për një cent, andaj nuk do të paraqesin as kërkesën pasurore juridike.

Pasi e shpalli vendimin lidhur me këtë çështje, gjykatësi Agim Ademi tha se shpenzimet e procedurës bien në barrë të mjeteve të Gjykatës.

Ndaj këtij vendimi të cilin e shpalli sot kryetari i trupit gjykues Agim Ademi, mund të ushtrohet ankes në afat ligjor.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë çështje:

Prokuroria: i akuzuari përfitoi kundërligjshëm mbi 5.000 euro nga Komuna