Foto: Kallxo.com

Zvarritjet në gjykimin e ish-kryetarit të Gjilanit dhe 36 të akuzuarve të tjerë, procesit s'i shihet fundi

Aktakuza ndaj ish-kryetarit te Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe të tjerëve, është ngritur më 16 shtator 2016.

Kanë kaluar mbi 1220 ditë që nga ajo kohë dhe Gjykata akoma nuk ka arritur të përfundojë shqyrtimin lidhur me këtë çështje.

Aktakuza për këtë rast penal është kthyer dy herë për plotësim – ndryshim.  Fillimisht më 25 nëntor 2016, gjyqtari i rastit kishte kërkuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës të bënte precizimin e aktakuzës.

Kërkesës së Gjykatës i është përgjigjur prokurori special, Agron Bajrami, duke e bërë precizimin e aktakuzës më 15 dhjetor 2016.

Pas këtij precizimi, gjyqtari i rastit, Sylë Lokaj, më 11 maj 2017, e ktheu prapë për plotësim-ndryshim aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Më 19 qershor 2017, prokurori special, Agron Bajrami, e dorëzoi aktakuzën e plotësuar për të dytën herë në Gjykatë.

Pas pranimit të aktakuzës së plotësuar, gjyqtari i çështjes më 25 korrik të vitit 2017 e kishte hedhur poshtë aktakuzën ndërsa ndaj këtij vendimi Prokuroria Speciale e Kosovës ushtroi ankesë.

Gjykata e Apelit më 22 shtator 2017, aktakuzën e hedhur poshtë ia riktheu për rishqyrtim Gjykatës në Pejë me arsyetimin se shkalla e parë nuk ka dhënë arsye të plota lidhur me hedhjen e parregullt të aktakuzës.

Më 21 nëntor 2017, në Asamblenë Komunale në Pejë, gjyqtari i rastit Sylë Lokaj mban shqyrtimin fillestar për këtë çështje.

39 të akuzuarit e këtij rasti u deklaruan të pafajshëm në lidhje me pikat e aktakuzës.

Pas kësaj, gjyqtari i njofton palët për të drejtën në kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hedhjen e aktakuzës.

Më 30 mars 2018, Gjykata e Pejës, ku po zhvillohet procesi, duke vepruar sipas kërkesave për hedhjen e aktakuzës nga avokatët mbrojtës i ka miratuar pjesërisht kërkesat e tyre duke i hedhur kështu disa nga pikat e aktakuzës si: Krimin e organizuar në lidhje me autorizimet në ekonomi për të  pandehurit Basri Kqiku, Avdyl Pireva, Rrustem Hajdari, Florim Zuka, Skender Imeri, Naser Mehmeti, Mejdi Ahmeti, Burim Govori, Asllan Asllani dhe Asllan Syla.

Kundër këtij vendimi ankesë pranë Gjykatës së Apelit kishte paraqitur prokurori special Agron Bajrami.

Pas analizimit të pretendimeve ankimore, Gjykata e Apelit gjeti se aktvendimi i Gjykatës së Pejës duhet anuluar, pasi që duhet pasur parasysh që lënda është komplekse dhe me një numër të madh të të pandehurve dhe se kjo çështje kërkon një trajtim më serioz dhe me të detajuar, me arsyetime e vlerësime më profesionale të cilat në rivendosje duhet t’i ketë parasysh gjykata e shkallës së parë.

Pas pranimit të vendimit të Apelit, gjyqtari i çështjes, Sylë Lokaj, më 30 nëntor 2018, vendosi që ta largojë “Krimin e organizuar”, nga aktakuza dhe ta pushojë procedurën penale ndaj të akuzuarve për keqpërdorime në ekonomi.

Po ashtu, tani e tutje, të pandehurit do të gjykohen me Kodin e ri Penal pasi që është ligj më i favorshëm.

Sipas vendimit, në vend të krimit të organizuar, Qemajl Mustafa dhe të tjerët që ishin të akuzuar për krim të organizuar në lidhje me keqpërdorimet e detyrës zyrtare, tani e tutje do të akuzohen për vepër penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare të kryer në bashkëkryerje.

Mirëpo, pas ricilësimit të veprës penale, ndaj 17 të akuzuarve për vepër penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare të kryer në bashkëkryerje, është hedhur aktakuza për shkak te parashkrimit relativ. Kurse përmes këtij vendimi Gjykata e Pejës kishte konfirmuar aktakuzën për keqpërdorim te detyrës zyrtare në bashkëkryerje vetëm ndaj 12 te pandehurve, duke përfshirë ish-kryetarin Mustafa.

Ndërsa përfundimisht në shkurt të vitit 2019, Gjykata e Apelit vendosi që ta prishë edhe një herë vendimin e Gjykatës së Pejës dhe ta kthejë krimin e organizuar për të gjithë të pandehurit si dhe udhëzoi fillimin e shqyrtimit kryesor.

Aktakuza fillestare pati 39 të akuzuar, mirëpo i akuzuari Behar Mehmeti ka vdekur kështu që Gjykata pushoi procedurën ndaj tij, ndërsa procedura gjyqësore ndaj Burim Govorit është veçuar për shkak se i njëjti gjendet në trajtim jashtë vendit.

Seanca e paraparë për datën 17 qershor 2019 kishte dështuar të mbahej për shkak të mungesës së prokurorit Agron Bajrami, por lidhur me këtë, gjykatësi Lokaj i njoftoi të akuzuarit se nuk ishte faji i prokurorit për mungesën e tij në seancën e kaluar, pasi sipas gjykatësit, ai nuk ishte ftuar në mënyrë të rregullt.

Me 27 qershor 2019, Gjykata e Pejës përsëri ka dështuar të vazhdojë procesi gjyqësor kundër Qemajl Mustafës dhe të akuzuarve të tjerë, për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Arsye e dështimit të kësaj seance ishte mungesa e të akuzuarve Nazmi Jashari dhe Burim Govori.

Gjykata e Pejës sërish më 14 tetor 2019, kishte dështuar të vazhdojë seancën gjyqësore kundër Qemajl Mustafës dhe të tjerëve.

Shkak i dështimit të kësaj seance ishte mungesa përfaqësuesit të palës së dëmtuar, përkatësisht të Komunës së Gjilanit, si dhe të akuzuarit Avdyl Pireva.

Përfundimisht kushtet për mbajtje të seancës gjyqësore u arritën më 17 tetor 2019.

Në këtë seancë, Gjykata e Pejës i mblodhi 37 të akuzuar për krim të organizuar, ku të gjithë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm dhe palët në procedure dhanë fjalën përfundimtare.

Seanca e radhës u mbajt më 18 tetor 2019, ku mbrojta e të akuzuarit Qemajl Mustafa propozoi që të caktohet një ekspert financiar me qëllim të përpilimit të një ekspertize financiare për aktivitetet e prokurimit për të cilat sipas tij akuzohet klienti i tij.

Shufta insistoi që mos të angazhohet si ekspert Riza Blakaj me arsyetimin se i njëjti është i pabesueshëm dhe sipas mundësive kërkoi angazhimin e një eksperti nga ndonjë qytet tjetër.

Gjersa prokurori Agron Bajrami e kundërshtoi ekspertizën e propozuar me arsyetimin se në rastin konkret aktakuza i referohet kurdisjeve të tenderëve dhe sipas tij  i vetmi institucion kompetent për të konstatuar shkeljet në aktivitetet e prokurimit- është Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik.

Prokurori shtoi se është një përgjigje nga KRPP, mbi cilën provë ndër tjera edhe është mbështetur aktakuza në këtë çështje.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Sylë Lokaj përmes vendimit e aprovoi propozimin e avokatit Shufta lidhur me ekspertizën financiare.

Në muajin janar të këtij viti është punuar ekspertiza financiare për aktivitet e prokurimit ashtu që seancat e radhës janë caktuar për më 16 dhe 20 mars.

Prokuroria i akuzon të pandehurit: Qemajl Mustafa, Hatixhe Daku, Vehbi Geci, Qefsere Sadriu, Ilaz Rashiti, Musa Nasufi, Muhamet Kastrati, Heset Mahmuti, Fatmir Halili, Drita Bajrami, Agim Hoxha, Ramush Musliu, Selvije Shefkiu, Ganimete Kastrati, Shemsedin Qerimi, Merita Canaj Shabani, Ibrahim Foniqi, Behar Mehtlleti, Hamdi Ismajli, Fadil Osmani, Heset Asllani, Selver Xhelili, Qemajl Latifi, Enver Biqku, Asllan Mustafa, Naser Sylejmani, Zeqirja Fazliu, Azem Mujku dhe Naim Jashari, për veprën penale – krimi i organizuar lidhur me veprën penale shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit.

Ndërsa të pandehurit: Basri Kqiku, Avdyl Pireva, Rrustem Hajdari, Florim Zuka, Skender Imeri, Naser Mehmeti, Mejdi Ahmeti, Burim Govori, Asllan Asllani dhe Asllan Syla, akuzohen për veprat penale – krimi i organizuar lidhur me veprën penale -keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi.

Sipas aktakuzës, zyrtarët duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke i tejkaluar kompetencat e tyre ose duke mos i përmbushur detyrat e tyre zyrtare, ndërsa të pandehurit tjerë duke vepruar si pronarë apo përfaqësues të këtyre operatorëve ekonomikë, kanë ushtruar veprimtari ekonomike me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për operatorin ekonomik tjetër, me rastin e ofertimit në aktivitete të prokurimit, pranë asaj komune.

Gjithnjë sipas aktakuzës, ish-kryetari i Gjilanit ka koordinuar me veprimtarinë e këtij grupi rreth kurdisjes së aktiviteteve të prokurimit, përcaktimit të fituesit të tenderit, gjithmonë duke u dakorduar paraprakisht me tani të pandehurit, më saktë pronarët apo përfaqësuesit e operatorëve ekonomikë (bizneset) e cekura në aktakuzë.

Sipas Prokurorisë, gjatë analizimit dhe trajtimit të hollësishëm të këtyre aktiviteteve të prokurimit në periudhën kohore 2008-2011 ka rezultuar se ish-kryetari, duke ushtruar fuqinë e tij ekzekutive si kryetar i Komunës ka koordinuar dhe ishte në dijeni për të gjitha këto aktivitete të prokurimit, krejt kjo bazuar në komunikimet e drejtpërdrejta dhe komunikimet përmes telefonit me menaxheren e prokurimit dhe me pronarët apo përfaqësuesit e këtyre bizneseve.

Përmes menaxheres së prokurimit, ish-kryetari kishte fuqinë edhe sa i përket vendosjes së caktimit të anëtarëve të komisioneve për vlerësimin e ofertave dhe anëtarëve të komisioneve vlerësuese në aktivitete të ndryshme të prokurimit.

Nga këto komunikime thuhet të ketë rezultuar se pronarët e bizneseve i fitonin këto kontrata në bazë të kurdisjeve me ish-kryetarin, menaxheren e prokurimit dhe dakordimeve paraprake të pronarëve të këtyre bizneseve, krejt kjo me qëllim që t’i sjellin vetes apo tjetrit përfitim të kundërligjshëm dhe me këtë duke i shkaktuar dëm Komunës së Gjilanit, buxhetit të Kosovës dhe operatorëve të tjerë ekonomikë, të cilët nuk ishin pjesë e këtyre kurdisjeve.