Pamje nga mbledhja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Zvarriti lëndën e koleges, Këshilli Gjyqësor ia ul pagën gjyqtarit

Në dy nga vendimet e saj të fundit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka vendosur që dy gjyqtarëve të Gjykatës së Prizrenit t’ua zvogëlojë pagën për disa muaj.

Ndaj gjyqtarit Shaban Shala, KGjK ka marrë vendim që t’ia zvogëlojë pagën prej 30 për qind për një periudhë prej katër muajve. Edhe gjyqtarit tjetër, Nazim Vllaço, Këshilli Gjyqësor vendosi t’ia zvogëlojë pagën për 30 për qind për një periudhë prej gjashtë muajve.

Të dy janë gjetur përgjegjës për shkelje disiplinore pasi që thuhet se nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare me kohë siç kërkohet me ligj.

Gjyqtarit Shaban Shala i është shqiptuar sanksion disiplinor pasi që pretendohet se i njëjti nuk e caktoi në punë një lëndë për më shumë se 2 vite.

“Pas vërtetimit dhe administrimit të të gjitha provave KGjK vërtetoi se tani subjekti i hetimit Shaban Shala, gjyqtar i Gjykatës Themelore në Prizren, nuk i ka përmbushur detyrat e tij si gjyqtar, në atë mënyrë që lëndën civile C. Nr 627/2014, të cilën e ka pranuar me datë 25 korrik 2014, nuk e ka caktuar në punë deri me datë 1 shkurt 2017 edhe pse e njëjta ka qenë me prioritet sipas Strategjisë së Këshillit Gjyqësor të Kosovës, për shkak se të njëjtën e ka konsideruar si lëndë komplekse dhe sensitive”, thuhet në vendimin e KGjK-së.

KALLXO.com ka raportuar për rastin për të cilin i është shqiptuar sanksion disiplinor gjyqtarit Shaban Shala.

Sipas informacioneve të KALLXO.com, gjyqtarit Shala i është shqiptuar sanksion disiplinor për shkak se i njëjti nuk caktoi në punë një lëndë civile, palë në të cilën ishte kolegia e tij, e cila është edhe zv/kryesuese e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Makifete Saliuka.

Gjyqtarja e Gjykatës së Apelit, Makifete Saliuka, ka ushtruar një padi ndaj gazetës së përditshme “Kosova Sot”.

Përmes kësaj padie, Saliuka ka kërkuar kompensim dëmi në vlerë prej 700 mijë euro, për të kompensuar dëmin që asaj pretendohet se i ka shkaktuar gazeta “Kosova Sot” me publikimin e një serie shkrimesh kundër saj në vitet 2011-2012, në kohën kur ajo ishte kryetare e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë.

Saliuka në padinë e saj thotë se gazeta “Kosova Sot” përmes gazetarëve të saj “në vazhdimësi për 3 vite ka bërë shpifje, fyerje dhe kërcënime ndaj saj dhe familjes së saj, me çka ka ushtruar dhunë psikike, por edhe presion në punën e saj si gjyqtare por edhe si ushtruese detyre e kryetares së Gjykatës”.

Sipas padisë, krejt kjo është bërë “me qëllim të hakmarrjes duke i sulmuar vrazhdë Saliukës nderin, autoritetin, dinjitetin me poshtërim të vazhdueshëm më të dhëna absolutisht të pavërteta duke cenuar edhe privatësinë dhe sigurinë fizike të saj dhe familjes së saj.

Gjyqtarja Makifete Saliuka në korrik të vitit 2019 është zgjedhur zëvendës kryesuese e Këshillit Gjyqësore të Kosovës.

Ndërsa në vendimin e KGjK-së, i cili tashmë është bërë i formës së prerë, thuhet se gjyqtari Shaban Shala nuk e ka mohuar faktin se këtë lëndë nuk e ka caktuar në punë me kohë por që arsyeja ka qenë për shkak të kompleksitetit të lëndës.

“Deklarimin e subjektit të hetimit, gjyqtarit Shaban Shala, se arsyeja e mos trajtimit me kohë të kësaj lëndë ka qenë shkaku i kompleksitetit dhe natyrës së saj sensitive, KGJK e vlerësoj në kundërshtim me obligimet dhe përgjegjësitë e tij si gjyqtar dhe i orientuar me qëllim të shmangies nga përgjegjësia disiplinore”, thuhet në vendimin e KGjK-së.

Gjyqtari Shaban Shala është hetuar edhe për komunikim ex-parte me gjyqtaren Saliuka, por pas hetimit nga paneli hetimor është konstatuar se ky pretendim nuk qëndron.

“Ndërsa, pretendimi i Autoritetit Kompetent se gjyqtari Shala kishte komunikuar me paditësen znj. Makifete Saliuka përmes telefonit dhe se me këtë komunikim ka bërë shkelje disiplinore nga neni 5 paragrafi 2, pika 2.8 komunikim ex-parte te Ligjit nr.06/L-057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, KGJK e shqyrtoj por e vlerësoj se i njëjti nuk qëndron, pasi që nga provat e administruara dhe deklarata e znj. Makifete Saliuka, u vërtetua se ky komunikim përmes telefonit është bërë pasi që ajo kishte parashtruar ankesën e saj ndaj tij ne ZPD, për neglizhencë të trajtimit të lëndës dhe se edhe biseda ka qenë e orientuar lidhur me këtë ankesë”, shkruan në vendim.

Duke e gjetur përgjegjës për shkelje disiplinore, për mos përmbushje të detyrave zyrtare me kohë siç kërkohet me ligj, gjyqtarit Shala i është shqiptuar sanksioni disiplinor i zvogëlimit të përkohshëm të pagës prej tridhjetë për qind (30%) për një periudhë prej katër muajsh.

Lidhur me shqiptimin e këtij sanksioni disiplinor KALLXO.com, kontaktoi me gjyqtarin Shaban Shala i cili për redaksinë tonë tha se procedura nda tij nuk është zhvilluar si duhet, kjo për shkak se gjyqtari pretendon se rasti i tij do të duhej të zhvillohej me ligjin e vjetër, pasi që sipas tij shkelja e supozuar ka ndodhur në kohën sa ka qenë në fuqi ligji i vjetër. Gjyqtari Shaban Shala pretendon se në rast se lënda do të trajtohej me ligjin e vjetër atëherë ky rast do të konsiderohej si rast i parashkruar.

Sipas ankesës së dorëzuar në Gjykatën Supreme, gjyqtari Shala ka deklaruar se sipas tij, në trajtimin dhe vendosjen lidhur me lëndën e tij, tani më ka kaluar dyfishi i kohës së përcaktuar për parashkrim, dhe se ndonëse me aplikimin e ligjit të ri, ky afat është zgjatur në 5 vjet, në këtë rast sipas gjyqtarit Shala është dashur që të aplikoheshin dispoziatat e ligjit të vjetër për shkak se siç thuhet vjen në shprehje parimi themelor i aplikimit të ligjit më të favorshëm ndaj subjektit të procedurës.

Përkundër ankesës së gjyqtarit Shala, Gjykata Supreme e ka vërtetuar vendimin e KGjK-së, i cili tashmë është bërë i formës së prerë.

Shaban Shala është gjyqtar në departamentin e përgjithshëm të Gjykatës së Prizrenit.

Përpos gjyqtarit Shala, sanksion disiplinor i është shqiptuar edhe gjyqtarit Nazim Vllaço.

Pas kërkesës së autoritetit kompetent, për hapjen e procedurës disiplinore ndaj gjyqtarit Vllaço, pas seancës dëgjimore dhe pas shqyrtimit të të gjitha provave, KGjK ka konstatuar se gjyqtari Nazim Vllaço ka bërë shkelje disiplinore të parapara me nenin 5 paragrafi 2, nën paragrafi 2.7, të Ligjit mbi Përgjegjësinë Disiplinor të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

“Shkelje e detyrave të gjyqtarit, sipas këtij ligji, përfshin veprimet e mëposhtme, në qoftë se gjyqtari i kryen me dashje ose nga pakujdesia e rëndë: në vazhdimësi nuk i kryen detyrat zyrtare me kohë, siç kërkohet me ligj”, përcaktohet në pikën 2.7 të paragrafit 2 të nenit 5 të Ligjit mbi Përgjegjësinë Disiplinor të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

Gjyqtari Vllaço është gjetur përgjegjës për shkelje disiplinore pasi që sipas këtij vendimi thuhet se i njëjti ka dështuar në përmbushjen e obligimeve të tij si gjyqtar, kur në mënyrë të vazhdueshme gjatë muajve gusht dhe nëntor të vitit 2019 ka munguar nga puna dhe mungesat e tij nuk i ka arsyetuar. KGJK përmes këtij vendimi ka vlerësuar se nga veprimet e tilla të gjyqtarit Vllaço jo vetëm se i është shkaktuar dëm palëve por me këto veprime i njëjti ka dëmtuar edhe imazhin e Gjykatës së tij dhe të Sistemit Gjyqësor në përgjithësi.

“Në vazhdimësi gjatë muajve gusht dhe nëntor të vitit 2019 ka munguar nga puna dhe për mungesat e tij nuk e ka njoftuar kryetarin e Gjykatës dhe askënd tjetër dhe për këtë ka ardh deri te shtyrja e seancave pa arsye në rastet penale P. Nr 569/2016, P. Nr. 576/2016, P. Nr. 1720/2016 dhe P. Nr. 865/2016”. Po ashtu i njëjti nuk ka marrë pjesë as në shpalljen e aktgjykimit të datës 21 mars 2019, edhe pse më herët ka qenë i njoftuar si anëtar i kolegjit dhe mungesën nuk e ka arsyetuar”, thuhet në vendimin e KGjK-së.

Lidhur me këtë vendim të Këshillit Gjyqësor, KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë me gjyqtarin në fjalë por i njëjti nuk i është përgjigjur telefonatave.

KALLXO.com po ashtu ka adresuar pyetje në Gjykatën e Prizrenit të cilat ka kërkuar që t’i përcillen gjyqtarit Vllaço, por deri në kohën e publikimit të artikullit nuk ka marrë përgjigje.

Nazim Vllaço është gjyqtar në Departamentin për Kundërvajtje të Gjykatës së Prizrenit.