Zvarritet gjykimi për trafikimin e fëmijës, prokurori i zënë me raste tjera

Ruzhdi Faiku dhe Raqibe Amidi, janë ulur në bankën e të akuzuarve për t`u përballur me akuzën e Prokurorisë për trafikim me fëmijë dhe mbajtje të kundërligjshme të fëmijës, por që seanca ndaj tyre dështoj të mbahet.

Shkak për dështimin e kësaj seance për të tretën herë ishte fakti se prokurori Agron Uka, tha se i ka të caktuara dy lëndë me paraburgim.

“Për ditën e sotme janë caktuar dy lëndë me paraburgim tek një gjyqtar tjetër e të cilat janë me prioritet. Pastaj e kam edhe një marrje në pyetje në Prokurori për një rast të rrëmbimit pikërisht për ditën e sotme, andaj propozoj që seanca e sotme të shtyhet për një ditë tjetër”, tha Prokurori Uka.

Sipas Prokurorisë i akuzuari Ruzhdi Faiku akuzohet se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore ka trafikuar të porsalindurin N. N. pas lindjes nga e ëma Nexhmije Ahmeti, pasi që në oborrin e Spitalit Regjional të Gjilanit e ka detyruar të dëmtuarën Nexhmije Ahmeti që t`ia jap fëmijën e porsalindur tani të akuzuarës Raqibe Amidit.

Po sipas Prokurorisë e akuzuara Raqibe Amidi prej vitit 2003 e ka marrë dhe e ka mbajtur fëmijën N. N. nga personi tjetër edhe pse të njëjtës nuk i është besuar nga organi i kujdestarisë dhe se e njëjta nuk i ka përfillur procedurat lidhur me marrjen, dhe mbajtjen e fëmiut.

Seanca që është dashur të mbahet sot u shtye për datën 31 mars.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë çështje.

Gjilan – Dështon seanca ndaj të akuzuarve për trafikimimin e foshnjes