Foto: Kallxo.com

Zvarritet gjykimi për kontrabandën e naftës nga Serbia

Në gjykatën e Mitrovicës sot ishte paraparë që të mbahet vazhdimi i shqyrtimit gjyqësor ndaj 18 të akuzuarve për vepra të ndryshme penale si krim të organizuar, tregti të ndaluar, kontrabandim të mallrave, shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Kjo seancë gjyqësore ka dështuar të mbahet për shkak se në seancën e sotme nuk kanë ardhur avokatët Skender Musa i cili është ftuar në mënyrë të rregullt por mungesën nuk e kishte arsyetuar, Nexhat Beqiri i cili paraprakisht e kishte njoftuar gjykatën përmes telefonit se kishte rast vdekje dhe avokatja Kosovare Kelmendi e cila po ashtu ishte ftuar në mënyre të rregullt nuk ka qenë prezente sot në seance nuk e ka arsyetuar mungesën.

Ndërsa ka munguar edhe i pandehuri Burim Hasani i cili përmes mbrojtësi të tij, avokatit. Betim Shala, më 14 janar e kishte informuar gjykatën se gjendet ne Gjermani dhe nuk do të mund të jetë prezent ne seancën e sotme.

Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancën gjykatësi Beqiri Halili e ka shtyrë këtë seancë gjyqësore për 31 janar.

Po ashtu gjykatësi Beqiri ka njoftuar se për të akuzuarin Burim Hasani do të lëshohet urdheresë për sjellje në gjykatë nga ana e policisë.

Prokuroria Speciale e Kosovës akuzon Besim Zeqirin dhe Ismet Zeqirin se në fillim të vitit 2012 kanë themeluar grupin kriminal me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore financiare.

Sipas Prokurorisë, këta të akuzuar nga Serbia dhe Mitrovica e Veriut kanë sjellë në mënyrë ilegale në vazhdimësi mallra të kontrabanduara si derivate të naftës, vajra motorike etj.

Në aktakuzë thuhet se në periudhën kohore qershor-dhjetor 2014, të akuzuarit me të gjithë pjesëtarët e grupit nga Serbia në Kosovë kanë bërë kontrabandimin e 52 ngarkesave me derivate të naftës, 2 ngarkesave me vaj hidrol dhe 3 ngarkesave me nitro-tretës.

Sipas aktakuzës, këto mallra më pas janë shpërndarë nëpër qytete të ndryshme të Kosovës me qëllim që të akuzuarit vetes apo personit tjetër t’i sjellin dobi pasurore, duke bërë shmangien nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore në shumën prej 30.000 eurove.

Për këto veprime të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal, lidhur me veprat penale kontrabandim i mallrave, tregtia e ndaluar dhe shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Për të njëjtën vepër akuzohen edhe Agron Zymeri, Gentrit Zymeri, Canabeg Hyseni, Ali Muzliukaj, Liridon Hyseni, Ridvan Avdiu, Besnik Istrefi dhe Azem Islami.

Po ashtu edhe të pandehurit Xhevat Spahija, Shkëlqim Jusaj, Selami Morina, Sabri Hasani, Burim Hasani, Nexhat Mazreku, Demë Lokaj, Alban Nikçi, Fadil Çollaku dhe Albion Lokaj akuzohen se kanë kryer veprën penale pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal lidhur me veprat penale -kontrabandim i mallrave dhe shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Gjithashtu, gjatë kontrollimit të shtëpive të të pandehurve Agron dhe Gentrit Zymeri, Ismet Zeqiri, Canabeg Hyseni, Azem Islami, Fadil Çollaku, Demë Lokaj dhe Alban Nikçi Policia ka gjetur dhe ka konfiskuar armë.

Me këtë këta të akuzuar kanë kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve.