Zv/ministri i Shëndetësisë, dënohet për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike
Gjykatësja Diana Sina, ka dënuar zëvendësministrin në Ministrinë e Shëndetësisë, Pjetër Ndou me 1 mijë e 500 euro gjobë, për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike dhe prodhim e shpërndarje të produkteve të dëmshme mjekësore.
Ky dënim u dha, pasi i njëjti kishte pranuar fajësinë.
Pjetër Ndou kishte qenë edhe këshilltar i ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj.
Aktakuza e ngritur nga prokurori Anton Hasanaj thotë se zëvendësministri ka operuar pa licensë në barnatoren e tij “Diellza 1” në Gjakovë.
Sipas aktakuzës, pa u bërë kontrolli i nevojshëm nga enti i autorizuar, ai ka vënë në qarkullim produktet mjekësore.
Ndou, për veprën e ushtrimit të kundërligjshëm të veprimtarisë farmaceutike është dënuar me 600 euro gjobë, ndërsa për veprën e shpërndarjeve të produkteve të dëmshme ai mori 70 ditë burgim.
Por, me pëlqimin e tij dënimi me burgim i ështe zëvendësuar me gjobë prej 900 euro dhe më pas ndaj tij gjykata ka dhënë dënimin unik me gjobë prej 1 mijë e 500 euro.
Në aktakuzë thuhet Pjetër Ndou po akuzohet që nga 25 janari i vitit 2018 e deri më 21 maj të vitit 2019, në biznesin e tij “Diellza 1”, pa pasur autorizime ligjore ka ushtruar veprimtarinë e tij farmaceutike.
Aktakuza thotë se këto veprime i ka bërë në kundërshtim me Ligjin për Produkte dhe Pajisje Medicionale të Ministrisë së Shëndetësisë, edhe pse i ishte anuluar licensa e veprimtarisë, ai kishte vazhduar të veprojë pa licensë duke shitur produkte medicionale.
Aktakuza shpjegon, se po në këtë biznes, pa u bërë kontrolli nga enti i autorizuar, ai kishte vënë ne qarkullim produktet mjekësore, derisa pas inspektimit dhe kontrollit nga Inspektoriati Farmaceutik ishte vërtetuar se biznesi i tij kishte vënë në qarkullim produkte të paautorizuara në treg.
Aktakuza thotë se në këto produkte kishte edhe prej atyre pa banderolë, me banderolë të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Serbisë.