Zv/Kryeprokurorja e Shtetit kërkon 20 mijë euro nga ish prokurori Sylë Hoxha në emër të shpifjes dhe fyerjes

Në gjykimin për kompensim të dëmit për shpifje dhe fyerje të cilin Zëvendëskryeprokurorja e Shtetit pretendon se i ka shkaktuar ish prokuroi Sylë Hoxha, Zëvendës-Kryeprokurorja është duke kërkuar kompensim të dëmit në vlerë të 20 mijë eurove.

Zëvendëskryeprokurorja e Sshtetit Sevdije Morina i ka kërkuar ish Kryeprokurorit të Prokurorisë së Prizrenit dhe ish prokurorit të Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha, kompensim dëmi në vlerë prej 20 mijë eurove në emër të shpifjes dhe fyerjes që ajo pretendon që i ka shkaktuar Hoxha gjatë deklaratave të tij të dhëna në një konferencë për media.

Sipas paditëses me 16 mars 2015, i padituri Sylë Hoxha që në atë kohë mbante pozitën e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit në një konferencë për media e kishte fyer rëndë paditësen. Sipas paditëses ish prokurori Sylë Hoxha kishte thënë të pavërteta në drejtim të prokurores Sevdije Morina e cila në atë kohë mbante pozitën e ushtrueses së detyrës së kryeprokurores së Prokurorisë Speciale.

“Është iniciuar shkarkimi im nga dy prokurorë, Znj Sevdije Morina e cila vazhdon atë që e kishte filluar Rrahman Morina në vitin 1989 dhe mbështetur nga Idain Smajli, i cili gjatë viteve të nëntëdhjeta ka shërbyer si gjyqtar deri në kohën e pak para vitit 1999 dhe i njëjti i ka shërbyer regjimit të Sllobodan Millosheviqit dhe ka zbatuar ato ligje diskriminuese të cilat ne i luftonim me mjete paqësore deri në vitin 1997”, thuhet të ketë deklaruar i padituri.

Me këtë deklaratë sipas paditëses, i padituri ka fyer rëndë paditësen dhe familjen e saj duke aluduar në familjar të cilët nuk jetojnë prej një çerek shekulli dhe duke krahasuar kërkesën e paditëses për shkarkimin e tij me veprimet e kohës kur kundër shqiptarëve (jo kundër të paditurit) janë bërë represalje (në shqip. kundërsulme). Me transmetimin e kësaj deklarate në të gjitha mediat elektronike dhe të shkruara sipas paditurës ka ndikuar që paditësja të ndjehet keq në vendin e punës, në familje dhe në rrethin ku jeton.

Po ashtu sipas Zëvendës-Kryeprokurores Sevdje Morina, i padituri, ish kolegu i saj Sylë Hoxha ka shpifur kur në konferencën për media ka deklaruar se Sevdije Morina në cilësinë e u.d. të Kryeprokurores së Prokurorisë Speciale me veprimet e saj ka dëmtuar qytetarët e Kosovës pasi që e njëjta është takuar me Prokurorinë e krimeve të rënda në Serbi dhe duke u dhënë atyre informacione në bazë të të cilave Prokuroria për krime lufte në Serbi ka lëshuar fletë arreste ndaj qytetarëve të Kosovës.

“E nderuara, znj.Morina…..Si e arsyetoni se gjatë kësaj kohe kjo Prokurori ka zhvilluar takime me Prokurorinë për krime lufte në Serbi dhe si e shpjegoni që tërë kohën Serbia lëshon fletë arreste ndërkombëtare kundër shtetasve kosovarë me të njëjtat dokumente që merren nga kjo prokurori. A keni dijeni për këtë dhe sa është hisja e përgjegjësisë për ju personalisht si pjesë e menaxhmentit në këtë prokurori”, pretendohet të ketë deklaruar ish prokurori Sylë Hoxha.

E që sipas paditëses deklaratat e tilla, ish prokurori Hoxha i ka bërë me qëllim të dëmtimit të reputacionit të paditëses si prokurore, u.d. kryeprokurore e PSRK-së, duke e ditur se ajo informatë nuk është e vërtetë.

Sipas padisë, i padituri Sylë Hoxha duke qenë në pozitën e prokurorit si dhe më pas edhe të ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të shtetit ka pasur dijeni se paditësja nuk ka zhvilluar asnjëherë asnjë takim me Prokurorinë për krime lufte në Serbi.

Më këto veprime sipas paditëses, i padituri i ka shkaktuar asaj dëm moral dhe dëmtim të reputacionit që paditësja e ka llogaritur në vlerë të 20 mijë eurove.

Me qëllim të shqyrtimit të padisë, në Gjykatën e Prishtinës sot është mbajtur shqyrtimi kryesor, në të cilin palët kanë deklaruar se qëndrojnë në tërësi pranë padisë dhe përgjigjes në padi.

Përfaqësueset e të paditurës avokatet Merita Stublla-Emini dhe Albana Kelmendi si dhe përfaqësuesi i të paditurit, avokati Diamant Zekaj kanë deklaruar se fjalën përfundimtare do ta paraqesin në formë të shkruar.