Zjarrvënia në Gjykatën e Kaçanikut, Apeli shqyrton ankesën e Prokurorisë Speciale ndaj vendimit të themelores për të akuzuarin Elmedin Raka

 

Në Gjykatën e Apelit më 10.12.2024 është mbajtur seanca për shqyrtimin e ankesës së Prokurorisë Speciale dhe përgjigjes në ankesë nga mbrojtja e të akuzuarit Elmedin Raka, i cili po akuzohet për rrezikim të rendit kushtetues lidhur me zjarrvënie në Gjykatën e Kaçanikut.

Gjykata e shkallës së parë ndaj Elmedin Rakës më datë 05.09.2024 kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj tij.

Kundër vendimit të Themelores kishte bërë ankesë Prokuroria Speciale, ndërsa përgjigjje në ankesë kishte bërë mbrojtësja e të akuzuarit Elmedin Raka, avokatja Fehmije Gashi- Bytyqi.

Në seancën e sotme 10.12.2024 të pranishëm nuk ishte askush nga radhët e Prokurorisë së Apelit dhe as i akuzuari Elmedin Raka.

Gjyqtarja referuese Afërdita Bytyçi bëri të ditur se ka ankesë të Prokurorisë Speciale në këtë çështje dhe se ka përgjigjje në ankesë nga mbrojtja e të akuzuarit Elmedin Raka.

Mbrojtësja e të akuzuarit Elemdin Raka, avokatja Fehmije Gashi- Bytyqi deklaroi se ka bërë përgjigjje në ankesë dhe se ka kërkuar që të vërtetohet aktgjykimi i shkallës së parë, dhe të refuzohet ankesa e Prokurorisë.

Tutje, e njëjta tha se në dispozitiv të aktakuzë ka shkelje të të drejtave kushtetuese.

“Siç e keni pa edhe vet në aktakuzë aty kemi shkelje të kushtetutës, menjëherë në dispozitiv të aktakuzës kur thotë për shkak të bindjeve ideologjike të këtyre personave, që s’ka të drejtë Kushtetuta e Republikës së Kosovës e garanton bindjen fetare”- tha avokatja Gashi- Bytyqi.

Tutje, Gashi- Bytyqi propozoi që të vërtetohet aktgjykimi i shkallës së parë duke thënë se nuk ka prova që e mbështesin aktakuzën.

Kryetari i kolegjit gjykues, Burim Ademi njoftoi se me vendosjen e Gjykatës së Apelit lidhur me këtë rast palët do të njoftohen me shkrim përmes gjykatës së shkallës së parë.

Kjo çështje po trajtohet nga kolegji në përbërje të gjyqtarëve Burim Ademi (kryetar) Afërdita Bytyçi dhe Bashkim Hyseni (anëtarë).

Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO, i akuzuari Elmedin Raka dhe i mituri T. B., të maskuar, e kishin hapur me forcë derën e shkallëve emergjente të objektit të Gjykatës në Kaçanik dhe kishin hyrë në katin e dytë të objektit dhe përmes llozit (hekur i trashë e i gjatë për të mbyllur derën nga brenda) i kishin hapur dy zyre të gjyqtarëve dhe në secilën zyre i kishin vendosur nga dy shishe me lëndë djegëse.

Dy të miturit e tjerë me inicialet M.R. dhe V.T. gjatë kësaj kohe, sipas Prokurorisë, kanë bërë roje rreth Gjykatës, pastaj kanë ikur së bashku nga vendi i ngjarjes.

Prokuroria në aktakuzën e saj ka përshkruar se pas shqyrtimit të provave materiale, në veçanti pas ekzaminimit  të telefonit të të akuzuarit Raka, ka rezultuar se i njëjti ka elemente ideologjike radikale – vehabiste përmes të cilave shpreh urrejtje dhe mosnjohje të institucioneve shtetërore – respektivisht Gjykatës në Kaçanik.

Tutje, në këtë dosje, përshkruhet se i njëjti i kishte fshirë të gjitha komunikimet dhe regjistrimet e thirrjeve të ditës kritike, e kjo sipas Prokurorisë krijon dyshimin e bazuar se i akuzuari i ka asgjësuar ato me qëllim të ikjes nga përgjegjësia penale.

Prokuroria Speciale më 07.06.2024 kishte njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet E.R. për shkak të veprës penale të rrezikim të rendit kushtetues përmes shkatërrimit apo dëmtimi të instalimeve dhe pajisjeve publike.

Prokuroria Themelore e Ferizajt kishte njoftuar më 15.03.2024 se tre të miturit po dyshohen se ishin autorët e vënies së zjarrit në objektin e Gjykatës Themelore të Ferizajt, Dega në Kaçanik. Ndërsa pak më vonë ishte arrestuar edhe i akuzuari Raka.

KALLXO.com kishte mësuar se gjyqtarët zyrat e të cilëve u dogjën nga zjarri merren me çështje penale.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast penal mund t`i lexoni duke klikuar në këtë link.