Zjarri në shtëpinë e gazetarit Selimi, Apeli e vërteton dënimin me 4 vjet burgim ndaj të akuzuarit Arsim Limani

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin dënues të Gjykatës Themelore në Prishtinë, përmes të cilit Arsim Limani ishte dënuar me 4 vite burgim për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm për djegien e shtëpisë së gazetarit Alban Selimi.

“Refuzohet si e pabazuar ankesa e mbrojtësit të akuzuarit A. L., ndërsa, aktgjykimi i Gjykatës Themelore – DKR në Prishtinë, PKR.124/23 i datës 08.04.2024, vërtetohet. Ankesa e përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar A. S., hudhet si e palejuar”- thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.

Kundër vendimit të Themelores ankesë kishte ushtruar përfaqësuesi i autorizuar i palës së dëmtuar, avokati Kujtim Kërveshi, për shkak të vendimit për dënim, me propozim që aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet dhe të akuzuarit t’i shqiptohet dënim më i ashpër.

Po ashtu ankesë kishte ushtruar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Arsim Limanit, avokati Fanol Krasniqi, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar ose jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së ligjit penal dhe vendimit për dënim, me propozim që aktgjykimi i ankimuar të anulohet dhe çështja të kthehet në rivendosje.

Ndërsa Prokuroria e Apelit, kishte propozuar që të refuzohet ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit, ndërsa, aktgjykimi i ankimuar të vërtetohet, kurse, ankesa e përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar të hudhet si e palejuar.

Gjykata e Apelit përmes aktgjykimit të përpiluar më 11.12.2024, ka gjetur se ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit nuk është e bazuar, kurse ajo e palës së dëmtuar është e palejuar.

“Gjykata e Apelit, pasi shqyrtoi të gjitha shkresat e kësaj çështjeje penale-juridike, studioi aktgjykimin e ankimuar në pajtim me dispozitën e nenit 394 të KPPRK-së, dhe pasi vlerësoi pretendimet e cekura në ankesa, gjeti se: Ankesa e mbrojtësit të akuzuarit nuk është e bazuar, ndërsa, ajo e palës së dëmtuar është e palejuar”- thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.

Ky vendim është marrur në përbërje të kolegjit Mehmet Ndrecaj – kryetar, Xhevdet Abazi dhe Kymete Kicaj anëtarë.

Limani nga Prokuroria është ngarkuar me akuzat për vrasje të rëndë në tentativë, ndërsa trupi gjykues në shpalljen e aktgjykimit ka bërë rikualifikimin e veprës në shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Vendimi i Gjykatës Themelore ishte marr në përbërje të trupit gjykues: Medije Bytyqi ( kryetare e trupit gjykues ) dhe anëtarët Agim Kuqi dhe Ngadhnjim Arrni.

Çfarë thotë dosja e prokurorisë?

Sipas dosjes së Prokurorisë më date 16.03.2023 i akuzuari Arsim Limani ka tentuar të privojë nga jeta Alban Selimin përmes ndezjes së flakës në garazhin e shtëpisë së tij.

Gjithnjë sipas aktakuzës Arsim Limani ishte afruar tek dera e garazhës dhe kishte hedhur një shishe benzinë të ndezur me ç’rast garazhën e kanë përfshirë flakët.

Alban Selimi në kohën e kryerjes së veprës nuk ka qenë në shtëpi kështu duke iu rrezikuar jetën bashkëshortes dhe fëmijëve të Selimit – thuhet në aktakuzë.

Ndërsa sipas aktakuzës në kornizën e dritares paraprakisht kishte shkruajtur fjalët “Mos ha m** shumë”

Zjarri, sipas aktakuzës, është vërejtur dhe fikur nga kalimtarët e rastit.

Gjatë procedurës së administrimit të provave ka pasur aludime nga avokati Kujtim Kërveshi, përfaqësues i Alban Selimit, për zhdukjen e disa video incizimeve.

Lidhur me këtë, në seancën e dhënies së mbrojtjes prokurorja e rastit ka sqaruar se nuk kanë ekzistuar kurrë dy CD me video incizime, por ka qenë gabim teknik.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK