Pallati i Drejtësisë - FOTO: Fatrion Ibrahimi / KALLXO.com

Zhvillime të reja në gjykimin 'për arratisjen' e Lushtakut nga QKUK

Seanca gjyqësore ndaj Sami Lushtakut dhe 22 të akuzuarve të tjerë në rastin e “Arratisjes nga QKUK-ja” është ndërprerë përreth 20 minuta.

Shkak për këtë ndërprerje ishte mungesa e të akuzuarit Dardan Geci, por i njëjti ka njoftuar Gjykatën se do jetë prezent në ora 11 në seancë.

Kujtojmë se me datën 2 dhjetor 2019, është veçuar procedura ndaj të akuzuarit Sami Gjoka, ndaj të cilit sot sërish u mor vendim për bashkimin e procedurës.

Lidhur me ketë veçim dhe bashkim të procedurës penale reagoi avokati Arton Çerkini, i cili ndonëse nuk është mbrojtës i të akuzuarit Gjoka, tha se në të mirë të procedurës penale çfarë do të ndodhë me provat që janë marrë në mungese të akuzuarit Gjoka.

Gjykatësi Shashivar Hoti si kryetar i trupit gjykues tha se “E dimë që prezenca e avokatit nuk e zëvendëson të akuzuarin por nuk kemi pasur zgjidhje tjetër, por ne kemi konsideru që nuk është pengesë procedurale sepse i akuzuari mundet mu shërby me procesverbalin e seancës”.

A do të veçohet procedura penale ndaj të akuzuarit Geci dhe do të bashkohet në seancën e radhës, apo gjykatësi do të marrë vendim për sjellje me forcë, apo caktimin e paraburgimit pritet të kuptohet brenda pak minutash, raporton KALLXO.com.

Aktakuza e cila përfshin një varg zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, përshkruan pretendimet për mënyrën se si u arratis Lushtaku nga burgu, duke treguar makinën dhe personin i cili e barti atë nga spitali drejt një banese.

E njëjta përshkruan mënyrën se si pas arratisjes së Lushtakut drejtori i Burgut të Prishtinës ishte avancuar në krye të Shërbimit Korrektues.

Pjesë e aktakuzës është edhe i biri i Lushtakut, Mërgimi, roli i të cilit përshkruhet në këtë aktakuzë të Prokurorisë.

Aktakuza përshkruan edhe përfshirjen e zyrtarëve tjerë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët refuzuan ta transferonin Lushtakun në Burgun e Mitrovicës.

Në këtë aktakuzë edhe mjekë të QKUK-së ngarkohen se dhanë diagnoza të falsifikuara për Lushtakun, e poashtu pjesë e aktakuzës janë edhe bashkëpunëtorë të Lushtakut të cilët u ofruan dëshmitarëve para e banesa në këmbim të deklaratave.

Në korrik të vitit 2017, Gjykata Supreme e ka liruar Lushtakun nga akuza për krime të luftës në bazë të së cilës ai ishte dënuar me 12 vjet burg në vitin 2015, dënim të cilin Gjykata e Apelit e kishte zvogëluar në 7 vjet burgim.

Ndryshe në seancën e sotme drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj sot pritej që të dëshmote në gjykimin ndaj Sami Lushtakut për rastin e arratisjes nga QKUK-ja në kohën kur po gjykohej për krime lufte.

 

Rashit Qalaj përballë Sami Lushtakut në rastin e arratisjes nga QKUK-ja

.