Zgjatet afati për përfshirje të viktimave në procedurë gjyqësore në gjykimin e Pjetër Shalës

Afati për dorëzimin e kërkesave të viktimave për pjesëmarrje në procedurë gjyqësore është zgjatur nga trupi gjykues i Gjykatës Speciale në rastin e gjykimit të Pjetër Shalës.

“Trupi gjykues ndryshon afatin për dorëzimin e kërkesave të viktimave për pjesëmarrje në procedurë deri në mbylljen e rastit të PSP-së”- thuhet në vendim.

Sipas Prokurorisë, Pjetër Shala akuzohet për krime lufte, me akuza për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë, dhe vrasje e paligjshme, të kryera në fabrikën e metalit në Kukës.

Në vendimin e fundit të publikuar më 6 mars 2023, trupi gjykues vendosi që të zgjasë afatin e dorëzimit të kërkesave deri në mbylljen e paraqitjes së provave nga ZPS-ja.

Vendimi u konsiderua i përshtatshëm për shkak të rrethanave të çështjes dhe situatës së përgjithshme të sigurisë në Kosovë, në pajtim me Rregullën 9(5) të Rregullores.

Çështja Shala aktualisht numëron 8 viktima pjesëmarrëse.

Pjetër Shala i njohur me nofkën komandant “Ujku” po gjykohet për krime lufte.

Ai ngarkohet për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje në Kukës, në një fabrikë metali për të cilën aktakuza pretendon se u përdor nga UÇK-ja si qendër paraburgimi.

Aktakuza pretendon se personat që ishin ndaluar në këtë zonë, i nënshtroheshin çdo ditë rrahjeve me mjete të ndryshme si shufra metali, armë, shkopinj dhe thika.

Krimet u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave të ndaluar.

Viktimat ishin civilë që nuk merrnin pjesë në konfliktin e armatosur në Kosovë në atë kohë.

Pjetër Shala është arrestuar më 16 mars 2021 nga autoritetet. Ai po mbahet në paraburgim.

Në aktakuzën e konfirmuar më 12 qershor 2020, e të redaktuar më 15 prill 2021, Prokuroria pretendon se Shala kishte kryer krime të luftës, në fabrikën e metalit në Kukës së bashku me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së.

Pjetër Shala së bashku me persona të tjerë, si Sabit Geci dhe Xhemshit Krasniqi, dyshohet se kishin dërguar në qeli persona të ndryshëm në mënyrë të kundërligjshme duke i prangosur.

Shala akuzohet se i kishte keqtrajtuar të ndaluarit në këtë qeli dhe i kishte rrahur me mjete të ndryshme.

Sipas Prokurorisë personat që ishin ndaluar në këtë zonë i nënshtroheshin çdo ditë rrahjeve me mjete të ndryshme si shufra metali, armë, shkopinj dhe thika.

Tutje në aktakuzë thuhet se të ndaluarit ishin rrahur mizorisht edhe pse ishin të plagosur me armë dhe njëri nga ta pasi nuk kishte pasur ndihmë mjekësore kishte ndërruar jetë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar pos tjerash pretendon se si pasojë e keqtrajtimit të të ndaluarve në fabrikën e metalit në Kukës, shumë viktima humbën vetëdijen, pësuan thyerje eshtrash dhe u mbuluan me gjak.

Artikujt e tjerë lidhur me procesin gjyqësor kundër Pjetër Shalës mund t’i lexoni në këtë LINK.