Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Zbulimi i fshehtësisë zyrtare, dështon të mbahet seanca ndaj të akuzuarve

Seanca e paraparë që të mbahej sot ndaj të akuzuarve: Selatin Hoxha, Ramadan Ibishi, Fisnik Ibishi, Skënder Fetaj, Ramadan Latifi, Driton Haxhija, Arian Kastrati dhe Burim Ismajli, është shtyer pasi që nuk pati kushte ligjore për mbajtjen e seancës gjyqësore.

Shtyrja ka ardhur si shkak se i akuzuari Arian Kastrati ka revokuar avokatin e tij mbrojtës, dhe ende nuk ka mundur që ta angazhoj një avokat tjetër, dhe për këtë çështje penale mbrojtja është e obliguar.

Seanca është shtyer për datë 8,9 dhe 11 nëntor 2021 në ora 9:30.

Sipas Prokurorisë, Inspektorit Ramadan Ibishi i ka ndihmuar edhe i biri i tij Fisnik Ibishi në zbulimin e fshehtësisë zyrtare. Në aktakuzë thuhet se Ramadan Ibishi deri sa ka qenë në orar të punës ia ka përcjellë informatat zyrtare se kur do të kryhen kontrollet nga inspektorët e ATK-së, birit të tij, Fisnik Ibishit. Kështu sipas Prokurorisë i akuzuari, Fisnik Ibishi i ka njoftuar menaxherët e bizneseve të lojërave të fatit për vendin e kontrolleve. Ai këtë e bënte duke përdorur fjalët – “jam në Qytetin e Gjakovës, jam në Qytetin e Gjilanit etj. A ke kohë për kafe?”. Kështu i akuzuari i ka njoftuar se në cilat qytete ka dalë kontrolla.

Skënder Fetaj, Arian Kastrati dhe Driton Haxhija akuzohen se që nga shkurti i 2015 deri në dhjetor të vitit 2016 kanë organizuar ose marrë pjesë në organizimin e lojërave të fatit. Skënder Fetaj edhe pse kishte licencë për ushtrimin e kësaj veprimtarie në gjithë Kosovën e në menaxhimin e së cilës vepronin edhe Arian Kastrati e Driton Haxhija, me qëllim kanë organizuar lojëra të fatit në kundërshtim me ligjin.

Aktakuza thotë se ai e kishin bërë duke siguruar numra serikë të dublifikuar-falsifikuar të ruletëve dhe të aparateve të automateve. Këto rolete e aparate me numra të falsifikuar i kanë vendosur në pika të ndryshme ku edhe kanë krijuar përfitime të kundërligjshme pasi kanë qenë pa licencë. Të pandehurit akuzohen se i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në shumë prej 253.680.00 euro.

Ndërsa Ramadan Latifin, Arian Kastratin, Driton Haxhijën dhe Burim Ismailin Prokuroria i akuzon se në fillim të vitit 2016 deri në dhjetor të vitit 2016 në vende të ndryshme në Kosovë me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore kanë organizuar lojëra të fatit të cilat janë të ndaluara me ligjin për lojëra të fatit ashtu që në njësitë e bastores sportive “Planet Win 365”, pronë e Ramadan Latifit, pas koordinimit në mes vete kanë blerë programin për lojëra “KENO” dhe “Lojëra me QEN” dhe përmes një personi të quajtur Hekuran, këto lojëra i kanë instaluar në kompjuterë të bastores në vende që ka më pak kontroll si në Drenas, Hajvali dhe në fshatra të rrethit të Pejës dhe Deçanit. Të pandehurit po ashtu akuzohen se kanë zhvilluar aktivitete në bastoret sportive në pika nisje të pa licensuara nga ATK-ja, kanë mbajtur tavolina të pokerit të cilat janë të ndaluara në Kosovë.

Me rastin e kontrollit të këtij biznesi janë gjetur gjashtëmbëdhjetë njësi të pa licencuara ndërsa aktakuza thotë se me këtë rast, buxhetit të Kosovës i është shkaktuar dëm prej 93,400,00 euro.

Të pandehurit Ramadan Latifi, sipas aktakuzës, në shtëpinë e tij në Gjilan pas kontrollit nga ana e Policisë i janë gjetur një revole e markës “Herma Werk”, një armë gjuetie e markës “Winchester” dhe mëse 435 copë fishekë të armës së gjuetisë dhe revoles.