Zbardhen kërcënimet ndaj Shaqir Totajt

Gjykata e Prizrenit ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të dyshuarit për kanosjen e kryetarit të komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj.

Rasti dyshohet se ka ndodhur si shkak mosmarrëveshjeve paraprake në lidhje me një kontest pronësor me komunën e Prizrenit.

Masa e paraburgimit F. K., do t’i llogaritet prej kohës së arrestimit 25 janar 2023, dhe mund të zgjasë deri më datën 25 shkurt 2023.

Sipas Gjykatës, i dyshuari F. K., ditën kritike përmes një personi të tretë, i ka dërguar porosi djalit të të dëmtuarit.

“Thuaj djalit të Kryetarit le t`i thotë babës vet le të ndalet sepse nëse ai nuk ndalet edhe ma rrëzon shtëpinë unë djalin e tij ose e rrahi ose e mys krejt”- thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Me këtë veprim tek i dëmtuari Shaqir Totaj dhe familja e tij ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetë.

Gjykata ka ardhur në konstatimin se ekzistojnë arsye për caktimin e paraburgimit, pasi që edhe më datë 06 dhjetor 2022, ndaj të pandehurit është iniciuar hetim për veprën penale të natyrës së njëjtë (Kanosje) ndaj të dëmtuarit të njëjtë (Kryetarit të Komunës së Prizrenit), dhe i pandehuri është edhe përsëritës i veprave penale në tre (3) aktgjykime të plotfuqishme.

“Caktimi i masës së paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, me qëllim të parandalimit të përsëritjes së veprës penale, apo me qëllim të parandalimit të kryerjes së ndonjë vepre edhe më të rëndë penale”- thuhet në njoftim.