Gjykimi ndaj Xhabir Zharkut - 08.12.2020 - FOTO KALLXO

Xhabir Zharku nuk deklarohet për fajësinë, kërkon provat nga Prokuroria, me theks deklaratat e dëshmitarëve

Xhabir Zharku, ish-kryetar i komunës se Kaçanikut, ka dalur para gjykatësit për t`u përballur me aktakuzën e Prokurorisë e cila atë e ngarkon me dy vepra penale.

Para leximit të aktakuzës, mbrojtësja e të akuzuarit, avokatja Albana Kelmendi, kërkoi nga Gjykata që të shtyhet seanca fillestare, pasi siç tha ajo nuk janë të gatshëm të deklarohen lidhur me fajësinë, pasi që Prokuroria nuk ua ka siguruar shkresat e lëndës, e veçanërisht deklaratat e dëshmitarëve.

Në seancën e sotme e cila ishte fillestare, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Rasim Maloku, i akuzuari Xhabir Zharku tha se nuk do të deklarohet lidhur me fajësinë pasi që nuk i ka shkresat e lëndës.

“Pasi t`i kem materialet dhe provat e aktakuzës, unë bashkë me avokaten time do t`i shqyrtojmë dhe atëherë do të deklarohem lidhur me fajësinë”, tha shkurt i akuzuari Zharku.

Sipas Prokurorisë, Xhabir Zharku në tetor të vitit 2008 dhe shkurt të vitit 2010 në Kaçanik, si person zyrtar, përkatësisht kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore dhe shkaktimit të dëmit të Komunës së Kaçanikut, ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare, në atë mënyrë që ka lejuar ndërtimin e një objektit për banim kolektiv dhe lokale afariste e cila ka qenë pronë e komunës dhe të njëjtën ia ka dhënë në shfrytëzim të përhershëm kompanisë “Çlirimtari”.

Tutje ai akuzohet për shkak se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare në atë mënyrë që pas përfundimit të një çështje gjyqësore në Gjykatën e Kaçanikut kishte urdhëruar avokaten e Komunës që mos të parashtroj ankesë ndaj vendimit të Gjykatës, duke i mundësuar përfitim pasuror në atë kohë paditësit – Kompanisë “Bardhi”.

Kujtojmë se Zharku ishte arrestuar në dhjetor të vitit 2019, nën dyshimet se gjatë viteve 2008-2010, ka kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare në kohën kur ishte kryetar i Komunës së Kaçanikut.

Gjithashtu Xhabir Zharku, në vitin 2011, ishte dënuar nga EULEX-i me 3 vjet burgim për veprat penale detyrim dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa pas kësaj ishte arratisur nga Kosova, ku kishte jetuar në Suedi duke iu shmangur vuajtjes së dënimit. Në shtetin skandinav ai kishte jetuar për gati pesë vjet e gjysmë, derisa në qershor 2018, ai ishte kthyer në Kosovë, pasi që kishte kaluar afati për ekzekutimin e dënimit ndaj tij.

Për sigurimin e provave lidhur me deklarimin e fajësisë nga i akuzuari, seanca e sotme do të vazhdojë më 10 dhjetor.