Arkiv - Foto: Kallxo.com

Xhabir Zharku deklarohet i pafajshëm në akuzat për dhënien e lejes së ndërtimit në pronë të komunës

Xhabir Zharku, i akuzuar për shpërdorim të detyrës zyrtare u deklarua sot i pafajshëm në gjykatën e Ferizajt.

Ish-kryetari i Komunës së Kaçanikut ka dalë para gjykatësit për t`u përballur me aktakuzën e Prokurorisë e cila atë e ngarkon me veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare.

Në seancën e sotme e cila ishte vazhdim i seancës fillestare, pas sqarimeve lidhur me aktakuzën e cila e ngarkon atë, Zharku tha se nuk e pranon fajësinë.

“Deklarohem plotësisht i pafajshëm për veprat penale me të cilat akuzohem nga Prokuroria. Nuk e pranoj fajësinë për asnjërën nga këto vepra penale”, tha shkurt i akuzuari Zharku.

Sipas Prokurorisë, Xhabir Zharku në tetor të vitit 2008 dhe shkurt të vitit 2010 në Kaçanik, si person zyrtar, përkatësisht kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore dhe shkaktimit të dëmit të Komunës së Kaçanikut, ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare, në atë mënyrë që ka lejuar ndërtimin e një objektit për banim kolektiv dhe lokale afariste e cila ka qenë pronë e komunës dhe të njëjtën ia ka dhënë në shfrytëzim të përhershëm kompanisë “Çlirimtari”.

Tutje ai akuzohet për shkak se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare në atë mënyrë që pas përfundimit të një çështje gjyqësore në Gjykatën e Kaçanikut kishte urdhëruar avokaten e Komunës që mos të parashtrojë ankesë ndaj vendimit të Gjykatës, duke i mundësuar përfitim pasuror në atë kohë paditësit – Kompanisë “Bardhi”.

Zharku ishte arrestuar në dhjetor të vitit 2019, nën dyshimet se gjatë viteve 2008-2010, ka kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare në kohën kur ishte kryetar i Komunës së Kaçanikut.

Gjithashtu Xhabir Zharku, në vitin 2011, ishte dënuar nga EULEX-i me 3 vjet burgim për veprat penale detyrim dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa pas kësaj ishte arratisur nga Kosova, ku kishte jetuar në Suedi duke iu shmangur vuajtjes së dënimit. Në shtetin skandinav ai kishte jetuar për gati pesë vjet e gjysmë, derisa në qershor  2018, ai ishte kthyer në Kosovë, pasi që kishte kaluar afati për ekzekutimin e dënimit ndaj tij.

Seanca e sotme u shty në kohë të pa caktuar, për ti dhënë mundësi të akuzuarit të paraqes kërkesë për hedhjen e aktakuzes.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast:

Xhabir Zharku nuk deklarohet për fajësinë, kërkon provat nga Prokuroria, me theks deklaratat e dëshmitarëve