Arkiv - Xhabir Zharku

Xhabir Zharku ankohet për kushtet në burg, Shërbimi Korrektues e demanton

Ish-kryetari i Komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, i akuzuar për keqpërdorim të detyrëz zyrtare, në një bisedë që ka pasur me familjarët e tij përmes Skype, është ankuar për kushtet në të cilat po mbahet në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.

Sipas avokates së tij, Albana Kelmendi, Zharku u ka thënë familjarëve se kushtet në burg janë rënduar që nga shfaqja e virusit COVID-19.

Xhabir Zharku është ankuar se higjiena nuk është në nivelin e duhur dhe ushqimi është shumë i dobët.

Duke cituar familjarët, avokatja ka thënë se klienti i saj është ankuar se ai dhe të gjithë të burgosurit momentalisht janë në panik nga frika se mund të infektohen nga virusi.

Zharku është ankuar se atyre nuk u është bërë asnjë lloj testimi për coronavirus.

Në një prononcim për KALLXO.com, avokatja Albana Kelmendi tha se porsa ka pranuar këto ankesa, dhe meqë për shkak të pandemisë nuk mund ta vizitojë klientin e saj, ajo i është drejtuar me kërkesë prokurorit të çështjes, për të kërkuar zëvendësimin e masës së paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak.

“Lidhur me këtë situatë i jam drejtuar me kërkesë prokurorit të çështjes që të jap pëlqimin për ndryshim të masës, me zëvendësim me masën e arrestit shtëpiak, duke pasur për bazë parimin themelor të drejtësisë ( prezumimin e pafajësisë ), për shkak se të paraburgosurit janë te pafajshëm deri sa të dëgjohet çështja e tij në Gjykatë. Prandaj, ne konsiderojmë se Prokuroria do të duhej t’i marrë të gjitha veprimet dhe të jap pëlqimin në Gjykatë, që klientit tim t’i ndryshohet masa, për shkak të këtyre kushteve dhe rrethanave të krijuara”, ka deklaruar Kelmendi.

Lidhur me ankesat për kushtet në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin e kësaj qendre, Isuf Iberdemaj, i cili për KALLXO.com ka thënë se nuk ka vend për panik pasi që gjendja momentale në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë është duke u menaxhuar shumë mirë.

“Në lidhje me interesimin tuaj dhe shqetësimet e ngritura nga familjarët e njërit nga të paraburgosurit mund t’ju them si në vijim: Fillimisht dua t’ua kujtoj se Qendra e Paraburgimit e Prishtinës (në Hajvali), është institucion i ndërtuar rishtazi dhe kushtet e akomodimit janë solide sidomos në këtë kohë kur kemi ndërmarrë edhe masa të rrepta shtesë me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit pandemik COVID-19. Rrjedhimisht, edhe trajtimi i  të burgosurve është në nivelin  dhe standardin më të lartë jo vetëm në rajon por edhe më gjerë qoftë sa i takon ushqimit, pastërtisë, përkujdesjes sociale, përkujdesjes shëndetësore etj.”, ka deklaruar për KALLXO.com, Isuf Iberdemaj.

Lidhur me ankesën për mungesë të zyrtarëve dhe gardianëve, Iberdemaj tha se kjo qendër ka një staf prej 167 punonjësish dhe pas shfaqjes së pandemisë, bazuar në vendimin e Qeverisë dhe udhëzimin e Drejtorisë Qendrore të SHKK-së, për shkak se një pjesë e stafit është mbi moshën 60-vjeçare dhe për shkak të disa problemeve kronike-shëndetësore si dhe për arsye të tjera, aktualisht nga detyra janë liruar 16 veta punonjës, por që tjerët vazhdojnë punën normalisht.

Sa i përket ankesave për gjendjen shëndetësore, drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë, Isuf Iberdemaj ka thënë se trajtimi shëndetësor i të paraburgosurve është shumë i mirë dhe në nivel shumë të lartë.

“Përveç personelit të lartcekur në QP-Prishtinë është Njësia e veçantë Shëndetësore e cila përkujdeset në baza ditore (24/7), për shëndetin e të burgosurve që nga dita e pranimit (kur ju bëhet Anamneza) e deri në ditën kur ata lirohen. Kontrollet mjekësore në institucion jo vetëm që janë rutinë e përditshme por ato bëhen edhe me kërkesë të të burgosurve sa herë që ata kanë ndonjë ankesë apo nevojë. Kjo Njësi përbëhet prej 11 pjesëtarëve, prej të cilëve: 3 Mjekë, 1 Psikolog, 1 Stomatolog dhe 6 Infermierë. Po ashtu sipas nevoje përveç këtyre, të burgosurit vizitohen dhe nga Psikiatri. Trajtimi shëndetësor është në nivel shumë të lartë. Të gjitha shqetësimet ankesat dhe problemet shëndetësore adresohen shpejtë dhe drejtë. Në rastet kur kemi të bëjmë me ndonjë problem shëndetësor që nuk mund të trajtohet në Ambulanten tonë, me rekomandim të Mjekut kujdestar i burgosuri udhëzohet për në QKUK”, ka shtuar më tej Iberdemaj.

Iberdemaj ka folur edhe për cilësinë e ushqimit, për çka tha se në këtë institucion cilësia e ushqimit është në nivelin e duhur, e inspektuar nga ekspertët në baza ditore.

“Edhe cilësia e ushqimit po ashtu është e mirë. Menyja përbëhet nga 3 shujta ditore, është e begatë e punuar me kujdes nga ekspertët e ushqimit në nivel të SHKK-së. Furnizimet bëhen me baza ditore për ta ruajtur cilësinë dhe freskinë e ushqimit. Edhe cilësia edhe pastërtia e tij inspektohen në baza ditore nga stafi shëndetësor dhe ai korrektues. Mostrat e ushqimit ruhen në frigorifer deri në 72 orë, për t’u siguruar për cilësinë dhe përbërjen e tyre në rast nevoje”, ka deklaruar për KALLXO.com drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë, Isuf Iberdemaj.

Xhabir Zharku ishte arrestuar më 14 dhjetor të vitit të kaluar në Aeroportin e Prishtinës nën dyshimin se ka kryer dy vepra penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare në periudha të ndryshme kohore në kohën sa ka qenë kryetar i Komunës së Kaçanikut.

Xhabir Zharku po qëndron në paraburgim nga data 15 dhjetor e vitit 2019.

Zharku ishte arrestuar në Aeroportin e Prishtinës në përpjekje për t’u larguar nga Kosova.

Javën e kaluar në emisionin “Drejtësia në Kosovë”, u transmetua reportazhi për mënyrën e menaxhimit të burgjeve të Kosovës në kohën e pandemisë COVID-19.