Foto: Ilustrim

Vushtrriasi e pranon fajësinë për kultivimin e bimëve narkotike në vazo

I akuzuari për kultivim të substancave narkotike, Bahtir Voca, e ka pranuar fajësinë në seancën fillestare që është mbajtur në Gjykatën e Mitrovicës

Voca ka deklaruar se pranimin e fajësisë e ka bërë në mënyrë vullnetare dhe pas konsultimit me mbrojtësen e tij, avokaten Shqipe Mehmeti.

Ndërsa pranimi i fajësisë nga i pandehuri është mbështetur edhe nga prokurori i rastit Ismet Ujkani.

Mehmeti po ashtu ka kërkuar nga Gjykata që me rastin e matjes dhe lartësisë së dënimit të marrë parasysh një mori rrethana lehtësuese siç ishin pranimi i fajësisë, pozitën e kryefamiljarit, mbajtësit të vetëm të familjes, si dhe gjendjes së dobët ekonomike.

Gjyqtari Sinisha Mandushiq me aktvendim e ka aprovuar pranimin e fajësisë dhe ka njoftuar se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 6 dhjetor 2019.

Ndryshe, sipas aktakuzës, i pandehuri në prill të vitit 2017, në një fshat të Vushtrrisë, në shtëpinë e tij, kishte mbjellë gjashtëdhjetë bimë të llojit kanabis në katër vazo të plastikës, ku ishte kujdesur duke i ujitur dhe kishin arritur gjatësinë prej 7-15 cm.

Tutje në aktakuzë thuhet se më 27 prill 2017, Policia gjatë kontrollimit të shtëpisë të pandehurit kishte gjetur dhe konfiskuar bimët narkotike të llojit kanabis, në të cilat ishte prezent substanca narkotike marihuanë, që kishte përmbajtur tetrahidrokanabionol {THC}.

Me këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale “kultivimi i bimës se hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve te kanabisit”.