Vrasje në Drenas

Një person ka mbetur i vrarë në Nekoc të Drenasit mbrëmjen e sotme, pasi është qëlluar me armë zjarri.

Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

“Sot rreth orës 19:00, kemi pranuar informatën se në fshatin Nekoc të Drenasit  ka ndodhur një përleshje në mes të disa personave ku përveç mjeteve të forta  është përdorur edhe arma e zjarrit. Bazuar në të dhënat fillestare në këtë rast një person është plagosur nga arma e zjarrit ndërsa tre të tjerë kanë pësuar lëndime trupore gjatë përleshjes fizike”, tha ajo.

Sipas Ahmetit, personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor.

Sipas policisë, personi i plagosur nga arma e zjarrit, nuk mundur tu përballoj plagëve dhe i njëjti ka vdekur.  Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKUK.

Ahmeti tutje ka njoftuar se lidhur me këtë rast të vrasjes, janë identifikuar tre persona të  dyshuar dhe policia është në kërkim të tyre.

“Aktualisht hetuesit policor janë duke punuar për të sqaruar të gjitha rrethanat që lidhen me rastin”, theksoi zëdhënsja e Policisë për KALLXO.com.