Vrasje e Policit në detyrë, dosja e Prokurorisë për mikun e Iran Badallit

 

Përpos të dyshuarit Iran Badalli për rastin e shpërthimit në Zhur ku mbet i vdekur në detyrë Polici Sami Thaqi, Gjykata e Prizrenit i ka caktuar paraburgim edhe një të dyshuarit  tjetër.

Bëhet fjalë për Arben Gashin, mikun e Iran Badallit, i cili po dyshohet për tre vepra penale.

Bastisja e datës 28 janar nga Njësiti i Anti-Drogës doli të jetë e fundit për zyrtarin Policor Sami Thaqi.

Kjo pasi që gjatë bastisjes në katin e dytë të shtëpisë, nga një shpërthim i eksplozivit të llojit “TNT” u vra në detyrë Sami Thaqi dhe u lënduan rëndë dy kolegë të tij, Artur Mrasori dhe Jetmir Hasanaj.

I dyshuari Arben Gashi po dyshohet për veprën penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm që ka rezultuar me vdekjen e zyrtari policor Sami Thaqi. Si dhe dy vepra tjera penale atë të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm që ka rezultuar me lëndime të rënda trupore për zyrtarët policorë, Artur Mrasori dhe Jetmir Hasanaj, ndërsa gjithashtu i njëjti po dyshohet edhe për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim t paautorizuar të armëve.

Që të gjitha këto vepra miku i Iran Badallit po dyshohet t`i ketë kryer në bashkëkryerje me të dyshuarin Iran Badalli.

Kallxo.com mëson se i njëjti është arrestuar me datë 12, në kufirin e Vërmicës, përderisa i njëjti po vinte nga Shqipëria për në Kosovë.

I dyshuari Arben Gashi kishte pasur ftesë nga Policia e Kosovës për t`u marrë në pyetje lidhur me rastin për ditën e sotme, 14.02.2020.

Gjykata i caktoi paraburgimin të dyshuarit duke marrë parasysh peshën e veprës penale,  dhe rrethana tjera të veçanta.

I dyshuari Gashi dyshohet se në ditën kritike ka qenë i fundit që ka kontaktuar me të dyshuarin Iran Badalli, dhe pastaj është larguar për në Shqipëri të njëjtën ditë.

I njëjti para gjyqtari ka mohuar të gjitha pretendimet e Prokurorisë duke deklaruar se ka qenë ai që vullnetarisht ka ardhë për të shkuar në Polici për t`u deklaruar për rastin

“Kur ka shkuar ftesa e Policisë në shtëpi më kanë lajmëruar, edhe menjëherë jam ardhur për me i sqaru të gjitha detajet e rastit Policisë”, tha i dyshuar Arben Gashi, duke shtuar se nuk ka kurrfarë lidhej me rastin e ndodhur dhe se me Iran Badalli ka pasur kontakt pasi që janë njohur që një kohë.

Kallxo.com mëson se i njëjti është marrë në pyetje rreth katër orë në Polici.

Mbrojtësi i tij avokati  Esat Gutaj, tha se i dyshuari vet është dorëzuar në Polici për t`i ndihmuar organet e drejtësisë për të zbardhur rastin, pasi që është edhe në interes të të dyshuarit.

Gjyqtari të dyshuarit i caktoi masën e paraburgimit përderisa hetimet e Prokurorisë po vazhdojnë, kjo si masë e arsyeshme që hetimet të vazhdojnë pa pengesa dhe të sigurohet prania e të dyshuarve gjatë fazës së hetimit.

Edhe i dyshuari kryesor i ngjarjes Iran Badalli në shtëpinë e të cilit ka ndodhur ngjarja tragjike ka mohuar të gjitha dyshimet e Prokurorisë, duke thënë se nuk ka njohuri se si ka ardhur deri te rasti i ndodhur.

Nga thirrjet në polici për dhunë në familje e deri te misteri i shpërthimit të eksplozivit në një shtëpi në Zhur të Prizrenit, u trajtuan detaje edhe në emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

KALLXO.com kishte raportuar vazhdimisht në lidhje me ngjarjen e 28 janarit në Zhur të Prizrenit.

Sami Thaqi, polic i njësisë speciale u vra nga një shpërthim muajin e kaluar teksa bashkë me kolegë po bastisnin shtëpinë e një të dyshuari në fshatin Zhur.

Përveç humbjes së këtij polici, në atë incident u lënduan edhe dy policë të tjerë.

Deri më tani ende nuk është bërë e qartë se si ishte vendosur eksplozivi ndërsa i dyshuari, pronari i shtëpisë ishte arrestuar pas ngjarjes tragjike.