Senca ndaj Nexhat Blakqorrit, i akuzuar për vrasjen nga pakujdesia të Gani Ramës - KALLXO

Vrasja që tmerroi Prishtinën, kërkohen deri në 5 vjet burgim për të akuzuarin

Nexhat Blakqorri, i akuzuar për vrasjen nga pakujdesia të Gani Ramës në nënkalimin afër bulevardit “Bill Klinton’’  në Prishtinë e ka pranuar fajësinë në Gjykatë.

“Po e pranoj fajësinë dhe kërkoj falje publike dhe më vjen shumë keq për rastin që ka ndodhur”, tha i akuzuari Nexhat Blakqorri.

Sipas Prokurorisë i akuzuari Nexhat Blakqorri, me datën 20 korrik 2019 rreth orës 17 e 50 në Prishtinë, në rrugën ‘’Perandori Justinian’’, te shkallët e nënkalimit në bulevardin “Bill Klinton”, pas një mosmarrëveshje verbale, fizikisht e ka sulmuar tani të ndjerin Gani Ramën, duke e goditur shumë herë me grushte në pjesën e kokës, dhe me shqelma në pjesën e kraharorit me çka i ndjeri Gani Rama kishte humbur baraspeshën dhe ishte rrëzuar me shpinë në shkallë ku ka rrëshqitur deri te pushimorja e shkallëve duke pësuar lëndime trupore.

“Me gjakmbledhje nënlukorere në buzë, hundë, në anën e majtë të kokës, të shkaktuara me veprim mekanik të mjetit të fortë, për shkak të të cilave ka ardhur deri të vdekja e të ndjerit Gani Rama. Raporti i autopsisë i përpiluar nga eksperti mjekoligjor Valon Hyseni, i datës 21 korrik 2019 e karakterizon si vdekje të dhunshme të shkaktuar si pasojë e gjakderdhjes dhe thyerjes së kockave të kokës”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Prokurorja e rastit Javorka Peniçeviq, sot bëri ndryshimin e kualifikimit të veprës penale nga vepra ‘’Vrasje nga pakujdesia me vetëdije në veprën vrasje nga pakujdesia për të cilën vepër është paraparë dënimi nga 6 muaj deri në pesë vjet’ burgim’.

I akuzuari Nexhat Blakqorri gjendet në parabugrim në Dubravë nga data 23 korrik 2019, vendim ky i cili mbeti në fuqi përkundër kërkesës së mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Arlind Jukolli.

Prokurorja e rastit Javorka Peniçeviq, kërkoi që i akuzuari Blakqorri të shpallet fajtor duke pasur parasysh rrethanat rënduese si shkaktimin e pasojës, frikën e qytetarëve dhe këtë dënim të jepet në përputhje me shkresat e lëndë, e si rrethanë lehtësuese ta marrë pranimin e fajësisë.

Ndërsa avokati Arlind Jukolli, kërkoi nga Gjykata që gjatë shqiptimit të dënimit të marrë parasysh faktin që i mbrojturi i tij për herë të parë ka kryer një vepër penale, se ka shprehur pendim të sinqertë dhe ka kërkuar falje publike, poashtu i njëjti është baba i katër fëmijëve dhe gjysh si dhe i njëjti ka pranuar fajësinë për këtë vepër penale.

Shpallja e vendimit do të bëhet me datën 9 dhjetor.

KALLXO.com pati raportuar lidhur me këtë rast.

Policia arreston të dyshuarin për vrasjen te nënkalimi në rrugën ‘Bill Clinton’

.