Gjykimi për vrasjen e Ferdinand Gjinit - 23.09.2019

Vrasja që dyshohet se u porosit nga Zvicra, gjykata ndalon publikimin e dëshmive

Gjykimi ndaj Bekim Raja, Gjon Pnishi, Avni Sinani dhe Murat Sinani, të akuzuar në rastin e vrasjes së Ferdinand Gjinit ka vazhduar të mbahet edhe sot në Gjykatën e Pejës.

Sot para gjykatës është duke dhënë mbrojtjen e tij i akuzuari Gjon Pnishi.

Ndonëse seanca është publike, trupi gjykues me kryetar gjykatësin Sami Sharraxhiu ka marrë vendim që të mos lejohet publikimi i mbrojtjes së të akuzuarit.

“Mos të publikohet deri të premtën, pasi që kanë për të dhënë mbrojtjen edhe të akuzuarit e tjerë”, tha gjykatësi Sharraxhiu.

Prokuroria e Pejës ka ngritur aktakuzë ndaj Bekim Rajës, Murat Sinanit dhe Avni Sinanit për shkak se më muajin maj të vitit 2012, në Zvicër, i pandehuri Bekim Raja me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt e ka porositur të pandehurin Xhon Pnishi, që ky i fundit së bashku me të pandehurit Avni dhe Murat Sinanaj të kryejnë vrasjen e viktimës Ferdinand Gjinit, duke premtuar dhe dhënë shpërblimin prej 100,000.00 franga.

Sipas aktakuzës, më 23.06.2014, në Prapaqan të Deçanit, të pandehurit Gjon Pnishi, Avni dhe Murat Sinanaj, duke vepruar sipas marrëveshjes paraprake, në mënyrë dinake dhe me qëllim që të sjellin dobi pasurore për vete e kanë shfrytëzuar krizën financiare të viktimës dhe e kanë mashtruar të njëjtin me substance narkotike, në atë mënyrë që viktima niset me veturë nga Gjakova për në Deçan, e i përcjellë nga i pandehuri Gjon Pnishi, për të shkuar dhe për të marrë një sasi të substancave narkotike, ashtu siç i kishte premtuar i pandehuri Avni, me ç‘rast i pandehuri Gjon, duke vepruar sipas sugjerimeve te të pandehurit Avni Sinanaj, i zë pritën dhe me të kaluar viktima me veturë mbi urë, i pandehuri Murat shtien me armë automatike në drejtim të viktimës, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

Për vrasjen e Ferdinand Gjinit ishte gjykuar më parë nga Gjykata në Pejë i akuzuari Gjon Pnishi, i cili u shpall fajtorë dhe u dënua me 18 vjet burg, mirëpo Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Për të njëjtin rast u arrestuan edhe Bekim Raja, Avni Sinani dhe Murat Sinani.