Foto: KALLXO.com

Vrasja që dyshohet se u krye me pagesë, anulohet seanca ndaj 4 të akuzuarve

Bekim Raja, Avni Sinanaj, Murat Sinanaj, Gjon Pnishi, pritej që sot të uleshin në bankën e të akuzuarve lidhur me akuzën për vrasjen e Ferdinand Gjinit.

Prokuroria e Pejës po pretendon se kjo vrasje është kryer me pagesë.

Seanca e sotme ndaj 4 të akuzuarve është anuluar nga gjykata për shkak të masave lidhur me pandeminë.

Gjyqtari i rastit, Sami Sharraxhiu, tha se për shkak të numrit të lartë të pjesëmarrësve është e pamundur të mbahet distanca në sallë.

Në këto rrethana seancat e radhës janë caktuar të mbahen më 2 dhe 4 nëntor.

Seanca e fundit për këtë rast është mbajtur me 20 korrik të këtij viti. 

Bekim Raja në këtë rast penal po akuzohet për shtytje në kryerjen e vrasjes së rëndë. Avni Sinanaj dhe Gjon Pnishi sipas Prokurorisë duke vepruar si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale të ndihmës në kryerjen e vrasjes së rëndë dhe Murat Sinanaj akuzohet për vrasje të rëndë të Ferdinand Gjinit.

Këto kualifikime ishin bërë nga prokurorja e rastit, Valbona Disha Haxhosaj, pasi rasti ishte kthyer në rigjykim, e që sipas prokurores është bërë vetëm përmirësimi i aktakuzës sipas sugjerimeve të Gjykatës Supreme.

Katër të akuzuarit ishin dënuar me gjithsej 49 vjet burgim nga gjykata e shkallës së parë, e pastaj ky vendim ishte vërtetuar edhe nga shkalla e dytë.

Por rasti është kthyer në rigjykim me vendim të Gjykatës Supreme.

Sipas aktakuzës së ndryshuar, Bekim Raja për shkak të një përleshjeje fizike që kishte pasur me të ndjerin Ferdinand Gjini dhe me Mark Kqirajn, me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt, e ka shtytur të pandehurin Gjon Pnishi që ky i fundit së bashku me Avni dhe Murat Sinanajn të kryejnë vrasjen e Ferdinand Gjinit.

Dosja e Prokurorisë thotë se për këtë porosi, Bekim Raja u kishte premtuar atyre shpërblim në vlerë prej 150 mijë franga, ndërsa nëse ka vonesa në kryerjen e vrasjes shpërblimi do të jetë 100 mijë franga zvicerane

Sipas Prokurorisë, i pandehuri Murat Sinanaj, sipas porosisë së dërguar nga Bekim Raja e ka kryer vrasjen e Ferdinand Gjinit, i ndihmuar nga Gjon Pnishi dhe Avni Sinanaj në planifikimin e vrasjes.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit e kanë mashtruar viktimën duke e joshur me substanca në atë mënyrë që një natë para vrasjes i ndjeri takohet me të pandehurit Avni Sinanaj dhe Gjon Pnishi, ku merren vesh që të nesërmen Ferdinand Gjini së bashku me Gjon Pnishin të shkojnë në fshatin Izniq te i pandehuri Avni Sinanaj për të marrë një sasi të substancave narkotike.

Tutje sipas prokurorisë, të nesërmen viktima niset nga Gjakova për në drejtim të Deçanit me veturën e tij, i përcjellë nga i pandehuri Gjon Pnishi, ku me të arritur të ura që i lidh fshatrat Llukë dhe Prapaqan, i pandehuri Murat Sinanaj i del në pritë dhe me armë automatike privon nga jeta Ferdinand Gjinin.

Aktakuza thotë se pas kryerjes se vrasjes, i pandehuri Bekim Raja ua jep shpërblimin prej 100 mijë frangave 3 të pandehurve të cekur me lartë.

Në këtë proces gjyqësor, prokurorja e rastit Valbona Disha-Haxhosaj, tregoi për kërcënimet që i janë bërë për vrasjen e fëmijëve e burrit të saj e edhe për metodat që sipas saj janë përdorur nga i akuzuari Bekim Raja që ajo të tërhiqet dhe të dorëzohet nga rasti.

Në këtë rast janë përmendur edhe emra të tjerë dhe lidhje të biznesmenit Bekim Raja me deputetë të Kuvendit të Kosovës. Në përgjime telefonike Raja kishte kërkuar ndihmë nga babai i tij që të kontaktonte me deputetin Hajdar Beqa, ndërsa në një fotografi të publikuar, deputeti Beqa dhe Nasim Haradinaj ishin fotografuar me Rajën duke pirë shampanjë në një jaht.

Që të dy nuk e kishin mohuar takimin ndërsa e kanë përshkruar Rajën si njeri human.

I akuzuari Bekim Raja që akuzohej se e porositi vrasjen e Gjinit me pagesë, u dënua me 15 vjet burgim, i akuzuari Avni Sinanaj me 9 vjet burgim e Murat Sinanaj me 19 vjet burgim

Ndërsa i akuzuari Gjon Pnishi, i cili ka bashkëpunuar me Prokurorinë u dënua nga Gjykata e Pejës me 6 vjet burgim.