Vrasja që dyshohet se ndodhi për një borxh prej 20 eurove, shtyhet gjykimi

Gjykimi ndaj Sylejman Ahmetit, i akuzuar për vrasje të rëndë në Suharekë, është shtyrë për në muajin prill 2022.

Nga kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha u bë e ditur se Instituti i Psikiatrisë Forenzike të Kosovës (IPFK) për shkaqe objektive dhe për shkak të pandemisë nuk kishte përfunduar raportin lidhur me ekzaminimin e gjendjes së shëndetit mendor të të akuzuarit.

Ky raport, në seancën e kaluar më datë 25 janar, ishte kërkuar nga ana e avokatit të të akuzuarit, Nazmi Mustafi.

Ndërkaq, në sallë prezent ishin prokurori i shtetit, Metush Biraj, mbrojtësi i palës së dëmtuar Mifat Qelaj. Kurse, nuk prezantonte i akuzuari Sylejman Ahmeti i cili ishte njoftuar paraprakisht për këto rrethana.

Me kërkesën e palëve, seanca e sotme nuk u mbajt, e njëjta u shtye për 13, 27 dhe 28 prill 2022.

Sipas Prokurorisë, në orët e vona të mbrëmjes, më 26 janar 2020, në një kafiteri të fshatit Maqitevë të Suharekës, pas mosmarrëveshjeve lidhur me një borxh prej 20 eurove që ia kishte tani i ndjeri vëllait të të akuzuarit, Sylejman Ahmeti e privon nga jeta Shaip Krasniqin.

Tutje thuhet se fillimisht i ndjeri i thotë të akuzuarit: “A e di kë e keni sha ju, pa ta q* n* nuk e la, në qoftë se je burrë çu dil jashtë”, dhe nga aty i ndjeri del jashtë në oborr dhe i kërkon falje pronarit të lokalit për gjestin e bërë, ndërsa i akuzuari me shpejtësi ngrihet nga tavolina dhe nga dera tjetër e lokalit del jashtë.

Aktakuza tutje sqaron se i akuzuari Sylejman Ahmeti shkon te kamioneta e tij dhe nga aty merr pushkën automatike “AK-47” dhe në prezencë të dëshmitarit Liman Aliu dhe mysafirëve të tjerë në oborrin e lokalit, në një distancë të shkurtër shkrep në drejtim të të ndjerit Shaip Krasniqi, i cili qëndronte i ndalur me një bisht të sëpatës në dorë dhe e godet fillimisht në fytyrë, i cili rrëzohet në tokë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, derisa ishte i rrëzuar, i akuzuari e godet edhe disa herë duke i thënë: “çu t’i q**** shtatë mijë n***, Allahu ta marroftë xhenazen”, e godet edhe disa herë me ç’rast i shkakton tetë plagë të cilat qenë vdekjeprurëse për të.

Me këto veprime, Sylejman Ahmeti akuzohet se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë.

Për këto akuza Sylejman Ahmeti ishte deklaruar i pafajshëm, ndërkaq, për veprën penale armëmbajtje pa leje e kishte pranuar fajësinë.

Vrasja për 20 euro borxh, dëshmitari rrëfen për përpjekjen që ta ndalte konfliktin para se të kriste Kallashnikovi