Vrasja që dyshohet se ndodhi për BMW X5, refuzohet përjashtimi i prokurorit

Ka vazhduar seanca gjyqësore në rastin e vrasjes së Besart Hasanit, pasi e njëjta ishte ndërprerë për shkak se avokati mbrojtës i familjes së të ndjerit Hasani kishte kërkuar përjashtimin e prokurorit të rastit, pasi që sipas tyre prokurori ishte i njëanshëm.

Kërkesa e avokatit mbrojtës ishte hedhur poshtë dhe në këtë rast vazhdon të përfaqësojë prokurori i njëjtë, Rasim Maloku.

Në seancën e sotme ka dhënë dëshminë e tij dëshmitari Bekim Salihu, dëshmia e të cilit kishte mbetur në gjysmë tek radha e pyetjeve nga avokati i palës së dëmtuar.

Dëshmitari gjatë dëshmisë së tij deklaroi se: “Besarti i ka pas prishur punët me Fatosin shkaku i një veture, sepse Fatosi nuk ia kishte përkthyer Besartit veturën”.

Avokati mbrojtës i familjes Hasani, Ramiz Krasniqi e pyeti se: “A i ke dëgjuar nga Besarti fjalët se ‘unë ju vras juve dhe ju nuk e dini se kush është Besarti Bibaj?”.

Në këtë moment reagoi avokati i Albert Ramadanit, Ymer Huruglica, i cili i tha kryetarit të trupit gjykues Mustaf Tahiri,se e kundërshton këtë pyetje sepse është një pyetje e drejtpërdrejtë dhe se dëshmitari në asnjë fazë të procedurës nuk e ka deklaruar këtë.

Pas konsultimit trupi gjykues vendos të lejohet pyetja dhe përgjigja e dëshmitari ishte “Jo ,nuk ka thënë”.

Pas kësaj dëshmitari u pyet nga avokati i të akuzuari Albert Ramadani, Ymer Huruglica i cili e pyeti se: “A e keni parë ndonjë herë Besartin duke e vozitur veturën BMW X5? (Ajo për të cilën ka ndodhur incidenti), dëshmitari përgjigjet: “Po”.

Avokati prapë e pyeti “Po Driton Krasniqin e ke parë duke e vozitur të njëjtën veturë?”.

Ndërsa dëshmitari deklaron se “Nuk më kujtohet”.

Pas kësaj mbrojtësi i të akuzuarit Argjend Ramadani, avokati Admir Salihu e pyeti dëshmitarin Bekim Salihun si dhe e ballafaqoi me deklaratat e tij dhënë në polici dhe gjykatë.

Dëshmitari deklaron se: “Unë kam hyrë në veturë, kam zbrit nga vetura dhe pastaj prapë kam hyrë në veturë dhe jam nisur në drejtim të Hibit”.

Albert Ramadani akuzohet nga Prokuroria e Ferizajt se në shkurt të vitit 2018 me dashje dhe në mënyrë mizore e ka vrarë të dëmtuarin tani të ndjerin Besart Hasani.

Kjo vrasje sipas aktakuzës kishte ndodhur  për një mosmarrëveshje rreth një veture BMW X5 në vlerë 60 mijë euro të cilën veturë e kishte marrë Driton Krasniqi nga familja Ramadani me premtimin se do ta paguaj dhe të cilën nuk e ka paguar, ndërsa i ndjeri Besart Hasani ka qenë ndërmjetësues.

Artan, Argjend dhe Fadil Ramadani akuzohen nga prokuroria për pjesëmarrje në rrahje, ndërsa Driton Krasniqi akuzohet për mashtrim.

Seanca gjyqësore vazhdon edhe nesër.