Vrasja që dyshohet se i parapriu një konflikt për shitblerjen e kafshëve, shfaqet një video-incizim i ri

Prova të reja të pa administruara më parë janë shfaqur sot në gjykimin për rastin e vrasjes së Fahri Bunjakut në vitin 2016 në Podujevë.

Këto prova ishin propozuar nga përfaqësuesi i të dëmtuarve, familjes Bunjaku.

Aty shihet një veturë e zezë e tipit “Mercedes” që pala e dëmtuar pretendon se i përket të akuzuarve Fejard dhe Sadat Llugaliu.

”Së pari nuk vërehet mirë se çfarë tipi është, e së dyti aspak nuk shihen tabelat e kësaj veture, se me atë do të vërtetohej se a është vetura e të pandehurve apo jo”, tha avokati Gëzim Kollqaku, mbrojtës i të akuzuarit Sadat Llugaliu.

Në aktakuzë koha e kryerjes së veprës paraqitet rreth orës 21:40, kurse në video-inçizim paraqitej koha rreth orës 22:00, e për këtë mbrojtja konsideron që është provë që nuk provon asgjë.

“Kjo provë nuk përputhet me aktakuzën, sepse ngjarja ka ndodh në orën 21:40 minuta, kurse videoja është në orën 22:24 minuta, 25, 26 minuta.  Kjo provë nuk provon asgjë dhe është jashtë kohës. Gjithashtu nëse i referohemi orës që e shohim i mbrojturi im është arrestuar në emergjencë të QKUK-së rreth orës 22:00 dhe në raportin që e kemi marrë nga policia askund nuk shkruan që inçizimet mund ta kenë orën gabim”, tha avokati Skënder Musa, mbrojtës i Fejrad Llugaliut.

Pamjeve në videon e shfaqur sot ishin të paqarta dhe mungonte ndriçimi në vendngjarje, në këto rrethana që nuk mund të identifikoheshin faktet relevante trupi gjykues vlerësoi që është e nevojshme ekspertiza e ekspertëve të forenzikës  në gjykim për të sqaruar provat.

Vrasja e Fahri Bunjakut sipas Prokurorisë ka ndodhur në muajin shkurt të vitit 2016, ndërsa pretendohet se asaj i ka paraprirë një konflikt rreth shitblerjes së kafshëve.

Prokuroria i akuzon Esat Llugaliun, Sadat Llugaliun dhe Fejard Llugaliun, se së bashku kanë kryer veprat penale vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar i armëve. Ndaj të akuzuarit Esat Llugaliu ishte veçuar procedura.

Ky rast është kthyer në rigjykim nga Apeli.

Për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, ishte dënuar Fejard Llugaliu, me burgim efektiv 3 vjet e 6 muaj, ndërsa i akuzuari Fejard Llugaliu është liruar nga akuza për vrasje, pasi që sipas trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtarja Valbona Musliu – Selimaj, nuk ishte arritur të vërtetohet se i njëjti është kryerës i kësaj vepre penale.

Konflikti që nisi për kafshë dhe përfundoi me vrasje, eksperti i forenzikës tregon për analizat e ADN-së së të akuzuarve