Vrasja për shkak të mosmarrëveshjeve të shitjes së kafshëve, sot pritet shpallja e aktgjykimit

Sot pritet të shpallet aktgjykimi për të akuzuarit për vrasjen e Fahri Bunjakut.

Sipas aktakuzës vëllezërit Sedat e Fejrad Llugaliu më 7 shkurt të vitit 2016, në Podujevë, pas marrëveshjes paraprake mes tyre i kishin dalë në pritë të ndjerit Fahri Bunjaku me qëllim të privimit nga jeta.

Akuza është ngritur më 5 prill 2017, e që nga atëherë janë dëgjuar dëshmitar dhe ekspert të shumtë.

Gjykata e shkallës së parë më 30 korrik 2019, të akuzuarin Sadat Llugaliu e kishte dënuar me 18 vjet burgim për vrasje të rëndë, ndërsa e kishte shpallur të pafajshëm për armëmbajtje pa leje.

Ndërsa, Fejard Llugaliu ishte dënuar me burgim efektiv prej 3 vjet e gjysmë për armëmbajtje pa leje, kurse ishte liruar në akuzën për vrasje të rëndë.

Palët kishin ushtruar ankesë ndaj aktgjykimit te Gjykatës së shkallës se parë dhe ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

I akuzuar në këtë rast ka qenë edhe Esat Llugaliu, për të cilin është veçuar procedura për shkak se gjatë sulmit ka pësuar lëndime të rënda me pasoja të përhershme.

Pas dhënies së fjalëve përfundimtare, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kujtim Krasniqi ka shpallur të përfunduar shqyrtimin gjyqësor për këtë çështje penale dhe ka shpallur 4 gushtin si datë kur do të bëhet shpallja e aktgjykimit.

Verdikti final në këtë çështje penale pritet të bëhet në ora 10:00.

Prokuroria Themelore në Prishtinë i akuzon Esat Llugaliun, Sadat Llugaliun dhe Fejard Llugaliun se së bashku kanë kryer veprat penale vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, sepse me dashje që ta privojnë nga jeta tani të ndjerin Fahri Bunjaku për shkak të një konflikti të mëparshëm që kishin rreth biznesit – shitblerjes së kafshëve me shumicë, i kanë dalë në pritë dhe kanë shtënë në drejtim të tij.

Sipas aktakuzës, Bunjaku duke tentuar të largohej nga vendi ku i kishin zënë pritë, në vetëmbrojtje plagosi Esat Llugaliun, ndërsa të pandehurit e tjerë Sadat dhe Fejard Llugaliu e ndoqën nga pas duke shtënë në drejtim të tij e pastaj duke e goditur me shkopinj druri.

Nga plagët e marra Bunjaku vdiq në QKUK, thuhet në aktakuzën e prokurorisë themelore.

Të akuzuarit e këtij rasti nuk e kanë pranuar fajësinë duke u deklaruar të pafajshëm.