Vrasja për motive pronësore, Prokuroria: Të akuzuarit e mbytën viktimën me drunj dhe shufra metalike

Besmir Ismajli, Samet Ismajli, Fisnik Ismajli, Ismet Ismajli, Izri Ismajli dhe Ermond Ismajli (i akuzuar për lëndim të rënd trupor), të akuzuar në rastin e vrasjes së Muhamet Ismajlin në fshatin Sadovinë e Çerkezëve janë sjellë sot në Gjykatën e Gjilanit nën masa të rrepta të sigurisë.

Seanca e sotme filloi nën masa të rrepta të sigurisë për shkak të marrëdhënieve të acaruara në mes familjeve.

Në fillim të seancës, pas leximit të aktakuzës gjithë të akuzuarit deklaruan se nuk e pranojnë fajësinë pasi që nuk e ndienin veten fajtor sipas asaj që i ngarkon aktakuza.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit Besmir Ismajli, Samet Ismajli, Fisnik Ismajli, Ismet Ismajli dhe Izri Ismajli, në muajin maj të vitit 2019, në fshatin Sadovinë e Çerkezëve, Komuna e Vitisë kanë vrarë Muhamet Ismajlin, pasi ka eskaluar situata dhe nuk kanë mundur të merren vesh mes vete, të akuzuarit me mjete të forta mprehëse, si drunj dhe shufra metalike, e godasin tani të ndjerin në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar vdekjen, si pasojë e thyerjes së kockave të kafkës.

Tutje sipas Prokurorisë i akuzuari Ermond Ismajli të njëjtën ditë dhe të njëjtin vend dhe për të njëjtat arsye (për shkak të një prone kontestuese), ju ka shkaktuar lëndime trupore Ismet Ismajlit dhe Fisnik Ismajlit duke i goditur me lopatë, në pjesë të ndryshme të trupit.

Gjykatësi i rastit Zyhdi Haziri tha se “Pasi që të akuzuarit nuk e pranuan fajësinë, seanca e sotme ndërpritet dhe të akuzuarit me gjithë mbrojtësit e tyre mund të bëjnë kundërshtimin e aktakuzës brenda afatit ligjor”.

Të gjithë mbrojtësit e të akuzuarve kërkuan nga Gjykata që të akuzuarve të ju ndërpritet masa e paraburgimit.

Në fund gjykatësi Haziri tha se “Sa i përket propozimit të mbrojtësve të akuzuarve, Gjykata do të vendos me aktvendim të veçantë ditën që do të skadoj afati i paraburgimit”.

Seanca e sotme u shtye për muajin janar.