Vrasja në tentativë, gjykata refuzon kërkesën e avokatit të të akuzuarit për ndërrimin e masës së arrestit shtëpiak
Është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj Sadedin Qollakut, i cili po akuzohet për veprat penale vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.
Mbrojtësi i të pandehurit, avokati Asdren Hoxha gjatë seancës më 06.08.2024 kërkoi nga gjykata që të mbrojturit të tij të i zëvendësohej masa e arrestit shtëpiak me ndonjë masë alternative – qoftë me paraqitjen në stacionin policor apo ndalimin për t’ju afruar personit të caktuar.
Mirëpo prokurorja Dulina Hamiti kundërshtoi këtë propozim po ashtu dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Asdren Bytyqi e mbështeti kundërshtimin e saj.
Lidhur me këtë propozim trupi gjykues mori aktvendim që të refuzohet propozimi për ndryshimin e masës së arrestit shtëpiak.
Tutje seanca vazhdoi me marrjen në pyetje të ekspertit Milazim Tahirukaj, i cili u përball me disa pyetje nga ana e trupit gjykues.
“Në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë kam punuar nga data me 05.06.2006 deri më 30.10.2023.” – deklaroi dëshmitari Milazim Tahirukaj.
“Në fakt në shumicën e rasteve personat që janë në lëvizje pas 8 orëve as nuk i marrin Forenzika e vendngjarjes mostrat për analizë” – tha dëshmitari gjatë seancës së sotme.
Tutje ai deklaroi se mostrat të cilat ua kanë sjellë për analizë, ishin marrë dhe ishin analizuar vetëm për pjesën e barutit.
Lidhur më këtë dëshmitar prokurorja e shtetit nuk kishte ndonjë pyetje as përfaqësuesi i palës së dëmtuar Menderes Eminit, avokati Asdren Bytyqi.
Po ashtu as mbrojtësi i të akuzuarit Sadetin Qollakut, avokati Asdren Hoxha nuk kishte ndonjë pyetje mirëpo i njëjti po ashtu e arsyetoi faktin pse nuk kishte pyetje.“Nuk kam pyetje për ekspertin pasi i njëjti edhe në raportin me shkrim por edhe sot ka qenë shumë i qartë që në dëshmitë e ekzaminuara nuk u evidentua prania e mbetjes së qitjeve me armë zjarri nga prejardhja e barutit. Ndërsa lidhur me pyetjet logjike të trupit gjykues dhe e rëndësishme për çështjen, përgjigjet janë në raportin e këqyrjes së vendit të ngjarjes të cilin e kanë hartuar oficerët e Forenzikës.” – deklaroi avokati Asdren Hoxha.
Në këtë çështje gjyqësore prokurorja Dulina Hamiti ishte në zëvendësim. Ky rast po trajtohet në përbërje nga trupi gjykues Gent Beka kryetar dhe dy anëtarët Medie Bytyqi dhe Adnan Kamberi. Shqyrtimi gjyqësor i radhës lidhur me këtë çështje pritet të mbahet gjatë muajit shtator të vitit 2024.
Çfarë thotë aktakuza?
Sipas aktakuzës së ngritur më datë 08.11.2021, Sadedin Qollaku akuzohet se më datë 26.04.2021, rreth orës 18:00 në Prishtinë, pas një mosmarrëveshje me të dëmtuarin Menderes Emini, i akuzuari për një moment ka shtënë me armë në drejtim të dëmtuarit duke i shkaktuar plagë të rënda në pjesën e sipërme të trupit (gjoksit).
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, i akuzuari Sadedin Qollaku akuzohet edhe për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.