Foto: Kallxo.com

Vrasja në Suharekë: Avokatët kërkojnë lirimin e të akuzuarve në Apel, Prokuroria synon dënim më të rëndë

Tre të akuzuarit për vrasjen e Abedin Bytyqit në një fshat të Suharekës kanë dalë sërish para gjykatës, këtë herë në atë të Apelit.

Në tetor të vitit të kaluar, gjykata në Prizren e kishte dënuar Murat Ademin me 25 vjet burg, bashkëshorten e të ndjerit Resmije Bytyqin me 20 vjet burg dhe Fadil Fetiun me 12 vjet burg përderisa e kishte liruar nga akuza te akuzuarin Reshat Ademi.

Por edhe Prokuroria edhe mbrojtësit e palëve ishin ankuar në gjykatën e Apelit rreth verdiktit të gjykatës së shkallës së parë.

Në seancën e gjykatës së Apelit e cila u mbajt të martën, palët dhanë pretendimet e tyre ndaj këtij vendimi.

Ankesa e Prokurorisë Themelore në Prizren kryesisht ngritet mbi pretendimet për vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike rreth lirimit nga përgjegjësia të të akuzuarit Reshat Ademi

Prokuroria ka propozuar që rasti ndaj tij të kthehet në rigjykim.

Ndërsa për të akuzuarit tjerë, Prokuroria ka kërkuar dënim më të rëndë.

Njëjtë ka kërkuar edhe Blerim Mazreku, avokat i palës së dëmtuar.

Ai ka thënë se vendimi i shkallës së parë të gjykatës nuk ka marrë parasysh mënyrën mizore dhe dinake të kryerjes së veprës penale si rrethanë rënduese.

Por të kundërtën e tyre e pretendojnë avokatët e të akuzuarve.

Florin Vërtopi, Nazmi Vërtopi dhe Hajrip Krasniqi të cilët e mbrojnë të akuzuarin Murat Ademi pretendojnë se gjykata ka bërë “shkelje esenciale të dispozitave procedurale, shkelje dhe vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkelje të ligjit penal dhe shkelje të parimit të barazisë së armëve”.

Ata pretendojnë se klienti i tyre është marrë në pyetje para prezantimit të provave, për shkak të mos pajisjes me prova dhe shkresa të rastit, si dhe sa i përket kualifikimit juridik të veprës penale.

Në ankesë, këta avokatë kanë kërkuar që Apeli ta kthejë këtë rast në rigjykim ose ta lirojë klientin e tyre, Murat Ademi.

Sa i përket Fadil Fetiu, Gjykatës së Apelit i janë dërguar 3 ankesa; dy nga avokatët Esat Gutaj e Sefer Morina si dhe ankesa e shkruar nga vet i akuzuari.

Gutaj dhe Morina poashtu i propozuan që gjykata ta anulojë aktgjykimin dhe ta  kthejë çështjen në rigjykim.

Sipas Prokurorisë, vëllezërit Murat e Reshat Ademi në bashkëpunim e të shtyrë nga Resmije Bytyqi, më 6 tetor 2016, rreth orës 15:30, kanë ndërmarrë veprime me qëllim të vrasjes së Abedin Bytyqit.

Murat Ademi, sipas aktakuzës, kishte shfrytëzuar situatën kur i ndjeri po kryente disa punime në elektrikë në shtëpinë e Fadil Fetiut.

Aty siç përshkruan aktakuza Murati nën kërcënimin e armës e kishte lidhur viktimën. Pasi e kishte lidhur, Murati e kishte hipur viktimën në veturë dhe e kishte dërguar në mal, mbi varrezat e fshatit Studençan- ku po e prishte i akuzuari Reshat Ademi, duke e shfrytëzuar situatën se viktima ishte i lidhur dhe I pa mbrojtur e kishin goditur me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore në trupin e të ndjerit.

Sipas përshkrimit të prokurorisë, të pandehurit nuk ishin mjaftuar me rrahjen kur në mënyrë mizore viktimës ia kishin vënë zjarrin duke i shkaktuar dhimbje deri në shkaktimin e vdekjes. Të akuzuarit më pas e kishin vendosur viktimën në një gropë dhe e kishin mbuluar me dhé.

Prokurori përshkruan se e akuzuara Resmije Bytyqi, në kohë të pacaktuar të vitit 2016, në takimet paraprake të cilat i kishte pasur me të akuzuarin Murat Ademi (djalin e xhaxhait) e ka shtyrë këtë të fundit që ta kryejë veprën penale të vrasjes ndaj bashkëshortit të saj Abedin Bytyqi.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, e akuzuara Resmije, gjatë bisedave me të akuzuarin Murat Ademi, kishte deklaruar se bashkëshorti i saj Abedini “po e maltretonte e rrihte”, duke i cekur se nëse i njëjti nuk ndërmerr ndonjë veprim do të porosisë ndonjë person tjetër për ta vrarë – eliminuar bashkëshortin e saj.

Të akuzuarin Fadil Fetiu aktakuza e ngarkonte për moslajmërim të veprës penale, por gjatë gjykimit dhe pasi të gjithë të akuzuarit kishin dhënë mbrojtjen e tyre dhe pas rrëfimeve të Murat Ademit, Prokuroria ndryshoi akuzën për të akuzuarin Fadil Fetiu ku i njëjti u akuzua për një vepër më të rëndë, pasi që sipas aktakuzës ishte ai I cili i ka vënë në dispozicion Murat Ademit mjetin për kryerjen e veprës penale si dhe ka fshehur provat.