Vrasja në Shtime: Mërgimtari del nga paraburgimi në arrest shtëpiak

Gjykata në Ferizaj ia ka zëvendësuar masën e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak Nuhi Nrecajt, i dyshuar për rastin e vrasjes së muajit të kaluar në Shtime.

Në të njëjtën kohë, vëllait të Nuhi Nrecajt, ia ka lënë në fuqi masën e arrestit shtëpiak.

Mbrëmjen e 7 gushtit, në shtëpinë e mërgimtarit Nuhi Nrecaj, dy persona kishin hyrë për të grabitur para. I paraburgosuri A.T. dhe F.G. kishin hyrë në shtëpi dhe aty pasi kishin plagosur pronarin ishin larguar me 24 mijë franga në dorë.

Në seancën e parë ndaj vëllezërve Nrecaj të mbajtur më 8 gusht, ndaj Nuhi Nrecajt ishte caktuar masa e paraburgimit ndërsa ndaj Avni Nrecajt masa e arrestit shtëpiak për shkak të dyshimit të bazuar se ata në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të vrasjes.

Nga ky incident kishte mbetur i vrarë njëri ndër grabitësit e dyshuar.

Ndërs anë seancën e sotme, gjykatësi mori mendimin e Nuhi Nrecajt i cili tha se për shkak se ka në këmbë ende predhën e cila i ka mbetur prej ditës kritike kur ka ndodhur ngjarja kërkon nga gjykata që të zëvendësohet paraburgimi me arrest shtëpiak

“Punoj në Zvicër, e kam një nanë dhe babë të cilët jetojnë në Kosovë, kam një vëlla dhe motra të martuara, për shkak të prindërve vij shpesh në Kosovë, pasaportën e kam të Kosovës dhe jam shtetas i Kosovës, në Zvicër kam vetëm leje qëndrimi”, tha Nuhi Nrecaj.

“Nuk kam qëllim të ik ose të fshihem, do të jem këtu por shkaku i lëndimit për mua më mirë do të ishte të isha në shtëpi. Si garanci që nuk do të ik unë mund të lë te ju dokumentet e udhëtimit pasaportën dhe leje qëndrimin e Zvicrës me të cilin udhëtoj”, tha Nrecaj.

Prokurori i rastit e njoftoi gjyqtarin se predha e cila gjendet në këmbën e të pandehurit duhet të hiqet dhe të ekzaminohet që të dihet se nga cila armë është gjuajtur.

Gjyqtari e udhëzoi të pandehurin që dokumentet do të mbeten në gjykatë dhe ia zëvendësoi masën e paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak, ndërsa të pandehurit tjetër Avni Nrecaj i vazhdon masën e arrestit shtëpiak.

Nuhi Nrecaj pas seancës u pa i përlotur dhe nuk mundej të përmbahej emocionalisht.

Prokurori i rastit Veton Shabani theksoi se masa e sigurisë së prezencës së të pandehurve në procedurë është e nevojshme për shkak se duhet të bëhet kualifikimi juridik i veprës dhe “të dihet se a kemi të bëjmë me mbrojtje të nevojshme, tejkalim të mbrojtjes së nevojshme apo vrasje”.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për këtë incident.

Plani për rastin e Shtimes u krye në Prishtinë