Foto: Kallxo.com

Vrasja në Shtime, Gjykata e lë në paraburgim mërgimtarin

N. N. pritet të qëndrojë një muaj në paraburgim, kurse i vëllai i tij A. N. në arrest shtëpiak.

Ky është vendimi i Gjykatës së Ferizajt për dy të dyshuarit për vrasjen e F. G. në Shtime, mëngjesin e së mërkurës.

F. G. Dyshohet se së bashku me një person tjetër, deri më tani i panjohur kishin hyrë në shtëpinë e N. N. për të grabitur.

Nga kjo i plagosur kishte mbetur edhe mërgimtari N.N., pronari i shtëpisë.

“Gjykata e Ferizajt, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit N. N., ndërsa ka refuzuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin A. N. dhe të njëjtit i caktohet masa e arrestit shtëpiak, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale vrasje”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Ferizajt.

Me tej në njoftim theksohet se të pandehurit dyshohen se më 7 gusht 2019, me dashje kanë privuar nga jeta tani të ndjerin F. G., i cili paraprakisht me një person tjetër tani për tani i panjohur, kishin hyrë të armatosur në shtëpinë e të pandehurve për të kryer grabitje dhe me të vërejtur i pandehuri N. N. fillon të përleshet fizikisht me të njëjtit, ku dhe plagoset me armë zjarri në këmbë nga njëri prej tyre.

“Të pandehurit ndjekin deri në rrugën kryesore, dhe pas diku 300 metra arrijnë ta kapin dhe përsëri përleshën me tani të ndjerin, ku gjatë përleshjes me një mjetë të përshtatshëm thikë e godasin në pjesë vitale të trupit, ku nga këto goditje F. G. mbetet i vdekur në vend”, thuhet në njoftim.

Gjyqtari Ibrahim Idrizi, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit N. N., e ka aprovuar si të bazuar, ndërsa ka refuzuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin A.N, dhe të njëjtit i është caktuar masën e arrestit shtëpiak.

KALLXO.com raportoi se në orët e para të mëngjesit të së mërkurës disa persona dyshohet se ia kishin mësyrë shtëpisë së një mërgimtari në Shtime për grabitje, ku njëri nga ta mbeti i vdekur, ndërsa të tjerët u arratisen.

KALLXO.com ka siguruar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit nga Prokuroria e Ferizajt, ndaj dy vëllezërve të dyshuar A. N. dhe N. N., të cilët dyshohen për vrasjen e viktimës, F. G.

Në kërkesën për paraburgim është përshkruar se si ka ndodhur e gjithë ngjarja.

 

Vrasje në Shtime

.