Seanca për vrasjen në restorantin 'Shega'

Vrasja në restorantin "Shega", i akuzuari shkon në arrest shtëpiak

Në mungesë të njërit nga të akuzuarit dhe në mungesë të dëshmitarëve, dështoi të mbahet seanca e rigjykimit,  për vrasjen e cila ndodhi para pesë viteve në restorantin “Shega”.

Në ngjarjen tragjike që kishte ndodhur me 2 maj të vitit 2014 në restorantin “Shega” ishin vrarë Naim Gërvalla e Lutfi Saraçi.

Të plagosur të asaj ngjarje kishin mbetur edhe babë e bir, Besim dhe Besart Istrefi, të cilët rreth një vit me vonë u akuzuan nga Prokuroria në lidhje me atë rast.

Besim Istrefi akuzohet për vrasje ndërsa Besart Istrefi për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Në këtë rast akuzohet edhe Jeton Saraçi për vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Për mungesën e të akuzuarit Jeton Saraçi, avokati i tij Mentor Neziri e njoftoi trupin gjykues se para dy orëve i kishte pranuar dokumentet mjekësore nga familjarët e të akuzuarit me ç ‘rast e kishin njoftuar se i njëjti është në gjendje të keqe shëndetësore, dhe si prova avokati Neziri trupit gjykues ia dorëzoi dokumentacionet mjekësore.

Kurse sa i përket dëshmitarëve që ishin të parapara të dëgjohen në seancën e sotme si Adem Dautaj, Abedin Sahitaj, Arben Bllata, Musa Ferati, Sabit Menxhiqi, Lutfi Zeqiri, gjykatësi Vesel Ismajli, njoftoi se ftesat të njëjtit i kanë pranuar por qe nuk janë prezent në seancen e sotme.

Më pas mbrojtësit e të akuzuarve Besim dhe Besart Istrefi, avokati Haxhi Millaku dhe Ali Beka i propozuan trupit gjykues qe masa e paraburgimit ndaj dy të akuzuarve tw ndërpritet.

Trupi gjykues mori aktvendim me të cilin aprovoi propozimin e avokatit Ali Beka dhe masën e paraburgimit të akuzuarit Besim Istrefi  ia zëvendësoi  me masën e arrestin shtëpiak, ndërsa  e refuzoi propozimin e avokatit Haxhi Millaku.

Seanca e radhës u caktua për datën 17 shtator.

Sipas aktakuzës ngjarja tragjike kishte ndodhur pasi Jeton Saraçi, i ulur në tavolinë me Adem Dautajn dhe tani të ndjerët Lutfi Saraçi e Nazim Gërvalla kanë filluar me kërcënime e tone të larta ndaj kamerierëve të cilët kishin filluar mbylljen e restorantit.

Aktakuza përshkruan se pas këtyre kërcënimeve kishte filluar konflikti në mes tyre dhe Besim e Besart Istrefi, konflikt pas së cilit ishin shkaktuar vrasjet dhe plagosjet.

Në lidhje me këto akuza gjatë vitit 2018, Gjykata e Prishtinës pronaret e restorantit i kishte dënuar ndësa Jeton Saraçi ishte liruar.

Gjykata e kishte dënuar Besim Istrefin me 7 vite burgim ndërsa Besartin me 5 vite e katër muaj.

Të pakënaqur me ketë vendim mbrojtësit e të akuzuarve që ishin dënuar si dhe Prokurori i shtetit kishin paraqitur ankesë në gjykatën e Apelit.

Gjykata e Apelit pas vlerësimit të lëndës gjeti se vendimi i marrë është në kundërshtim me kodin e procedurës penale.

Sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë nuk është  arsyetuar mjaftueshëm dhe si pasojë e saj ka bërë që të jetë i paqartë.

Për t’i shmangur shkeljet e konstatuara Apeli ka vendosur që çështjen ta kthejë në rigjykim.

https://kallxo.com/vrasja-ne-restorantin-shega-kthehet-ne-rigjykim/