Foto: KALLXO.com

Vrasja në restorant 'Shega', eksperti i balistikës: Nuk është gjetur arma nga e cila u vra viktima

Në rigjykimin ndaj Besim e Besart Istrefit dhe Jeton Saraqit për vrasjen e Lutfi Saraqit dhe Nazim Gërvallës në rastin e njohur  ‘’Shega” u dëgjua dëshmia e Qëndrim Topallit, ekspert I balistikës.

Topalli së bashku me ekspertët Ilir Kukaj dhe Lutfi Raci kishin përpiluar raportin balistik për vrasjen që kishte ndodhur në restorantin ‘’Shega’’ më 2 maj 2014.

Ekspertiza balistike nënkupton analizimin dhe krahasimin e armëve të përdorura në vendin e ngjarjes, modelet e armëve, kalibrat e tyre, dhe konstatimet se nga cilat armë është shkrepur, cila ka qenë pozita e qitësit dhe viktimës, cila është largësia në mes qitësit dhe viktimës.

Në seancën e sotme, Qëndrim Topalli  deklaroi se mbetet në tërësi pranë konstatimit të dhënë në raport.

‘’Kemi identifikuar armët dhe predhat  e pastaj kemi bërë gjuajtje nga armët për t’i testuar dhe kemi konstatuar se nga 4 armët tri ishin funksionale e një jonfuksionale’’, deklaroi ai.

“Përshkrimin e gjuajtjeve e kemi bërë në bazë të hedhjes së gëzhojave, e kështu tri armë gëzhojat i hidhnin  në anën e djathtë ndërsa arma ‘’Crvena Zastava’’ gëzhojat i  hedh nga ana e majtë”, deklaroi dëshmitari.

I pyetur nga gjykatësja Nushe Mekaj Kukaj nëse e kanë tërhequr trajektoren në trupat e viktimave për të përcaktuar pozicionin e qitësit dhe viktimës, eksperti balistik tha se nuk e kanë kryer këtë veprim pasi atë e bën mjeku ligjor.

Sipas Qëndrim Topallit, për  viktimën  Nazim Gërvalla nuk është gjetur arma nga e cila është gjuajtur.

Eksperti deklaroi se nuk kanë pasur asgjë për ekspertizë lidhur me vrasjen e Nazim Gërvallës.

I pyetur se ku ishte i vendosur viktima Nazim Gërvalla, dëshmitari tha se nuk i kujtohet.

Pyetje dëshmitarit i bëri edhe i akuzuari Besim Istrefi.

Duke u ndërlidhur me atë që dëshmitari tha se arma gëzhojat i ka hedhur jashtë nga ana e djathtë, i akuzuari tha se si kanë mundur të jenë në hyrje të restorantit, te dera, në anën e majtë  4 gëzhoja të kalibrit 9×9 mm.

Eksperti fillimisht deklaroi se “këto nuk janë gëzhoja por pika gjaku’’. E më pas I akuzuari tregoi se bëhet fjalë për gëzhojat 7, 8, 9 dhe 42. Atëherë në bazë të skicës eksperti u mundua të jap përgjigje e për grumbullimin e tyre nuk e dinte.

Po ashtu i akuzuari e pyeti se a ka mundur dikush t’I lëvizë predhat dhe t’i grumbullojë ato. Për këtë, eksperti tha se nuk e di, dhe se gjetjet i konstatojnë vetëm sipas asaj si janë të vendosura në vendin e ngjarjes.

Po ashtu në këtë seancë gjyqësore u dëgjua edhe eksperti tjetër balistik Lutfi Raci, i cili deklaroi se mbetet në tërësi pranë konstatimeve në raport dhe nuk ka çfarë të shtojë më shumë.

Seanca e radhës u caktua për më 11 dhjetor.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, të datës 10 mars 2015, ngjarja kishte ndodhur në restorant “Shega” në Milloshevë të Obiliqit më 2 maj të vitit 2014, ku pas një mosmarrëveshje të çastit ishin vrarë Naim Gërvalla e Lutfi Saraçi, ndërsa kishin mbetur të plagosur rëndë tashmë të akuzuarit Besim e Besart Istrefi, pronar i këtij lokali dhe djali i tij.

Konflikti kishte nisur pasi kamerierët kishin filluar përgatitjet për mbylljen e restorantit, ndërsa i akuzuari Jeton Saraçi, i ulur në tavolinë me Adem Dautajn dhe tani të ndjerët Lutfi Saraçi e Nazim Gërvalla, sipas aktakuzës kishte bërë kërcënime me tone të larta ndaj kamerierëve, ku më pas kishte filluar konflikti në mes tyre dhe pronarëve Besim e Besart Istrefi, nga i cili ishin shkaktuar vrasjet dhe plagosja.

Gjykata e Prishtinës në vitin 2018 kishte dënuar pronarët e restorantit ‘’Shega’’ ndërsa Jeton Saraçin e kishte liruar.

Besim Istrefi ishte dënuar me 7 vjet burgim ndërsa Besart Istrefi ishte dënuar me 5  vjet e 4 muaj.

Ndërsa në qershor të vitit 2016 çështja nga Apeli ishte kthyer në rigjykim për shkak se aktgjykimi nuk është  arsyetuar mjaftueshëm.