
Vrasja në Prishtinë, dëshmitari rrëfen çfarë dëgjoi para se të shkrepej arma
Në gjykimin e Avni Mustafës dhe dy të pandehurve të tjerë, lidhur me ngjarjen e vitit 2023 në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, ku mbeti i vdekur R.T., sot, më 14.02.2025, ka vazhduar dëshminë dëshmitari Besnik Vitia.
Në fillim të seancës gjyqësore avokati Besnik Berisha, i cili mbron të akuzuarin Avni Mustafa, ia përkujtoi dëshmitarit pyetjen që ia kishte bërë në seancën e kaluar.
“Unë ju kam pyetur për momentin kur i ndjeri ka përdorur fjalë dhe ofendime, i ka quajtur hajna Avniun dhe Mustafën, po ashtu në një moment ju keni deklaruar se keni vërejtur duke ia bërë me dorë Avniut të ndjerit dhe ky moment pamjet e kamerave është regjistruar si kohë 13:17:09 dhe ju kam pyetur: A është ky momenti që i je referuar kur i ke përshkruar ofendimet dhe ngritjen e dorës lart të Avniut? Ju jeni përgjigjur: “Po”” – tha avokati Besnik Berisha.
Ai tha se në momentin kur e ka parë Avniun me dorë të ngritur duke bërë lëvizje sikur “largohu”, veprimet e të ndjerit qoftë fjalë, gjeste apo lëvizje tha se nuk i mban mend.
“Në atë tubimin aty s’më kujtohet çka ka folë përveç kur ka hyrë pronari dhe që ka thënë: “Për rize të Zotit dilni jashtë mos na merrni në qafë!”. Ma shumë s’më kujtohet asgjë” – tha dëshmitari Besnik Vitia.
“Ke deklaruar herën e kaluar se asnjërin nga vëllezërit Mustafa nuk e ke dëgjuar duke ofenduar, sharë, por i vetmi që ka bërë ofendime me veshët e juaj që keni dëgjuar është tani i ndjeri. A po të kujtohet që ke deklaruar kështu?” – e pyeti avokati Besnik Berisha.
“Po”- tha Vitia.
“A mundesh me na tregu pjesa ku shihet në shtyerje siç e ke përshkruar në mes vete, a ka ndodhur pasi që ke dëgjuar të sharat dhe ofendimet?” – ishte pyetja e radhës e avokatit Berisha.
“Po” – tha Vitia.
Ai bëri të ditur se pasi që kishte dëgjuar sharje, ofendime, shtyerje, dhe pas gjitha këtyre veprimeve kishte dëgjuar edhe të shtëna. Pra deri në momentin e fundit nuk kishte dëgjuar të shtëna me revole as kur ishte rrëzuar Mustafa e as kur kishin filluar grushtet, sipas tij, ndaj Avniut.
Seanca e sotme u ndërpre ndërsa shqyrtimi gjyqësor i radhës lidhur me këtë çështje penale pritet të mbahet gjatë muajit mars 2025.
Ky rast është duke u trajtuar në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës së Prishtinës nga trupi gjykues i përbërë nga Gent Beka (kryetar i trupit gjykues) dhe dy anëtarët Medije Bytyqi dhe Adnan Kamberi.
Ndërsa aktakuza po përfaqësohet nga prokurorja Fatmire Cacaj.
Seanca e sotme ishte paraparë të fillonte në ora 13:00 mirëpo e njëjta ka filluar me vonesë prej 46 minutave pasi që prokurorja e shtetit ishte e angazhuar në një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës për sigurimin e të pandehurit në procedurë.
DOSJA E PROKURORISË
Sipas dosjes së Prokurorisë, më 19.03.2023 rreth orës 13:20 në afërsi të hotelit “Adria” i cili gjendet në Prishtinë, i pandehuri Mustafa për shkak të një konflikti pronësor e që dyshohet të jetë për fajde, ka privuar nga jeta tani të ndjerin R.T., në atë mënyrë që së bashku me vëllanë e tij – tani të pandehurin Mustafë Mustafa, takohen me tani të ndjerin R. T. dhe në bisedë e sipër fillojnë që të fjalosen mes vete, nisen që të dalin nga hoteli dhe në dalje të hotelit i akuzuari Avni Mustafa largohet dy-tre hapa majtas nga tani i ndjeri R.T.
Sipas aktakuzës, Avni Mustafa nxjerr nga çanta e dorës revolen, të cilën ia drejton tani të ndjerit R. T., i cili me qëllim të vetëmbrojtjes nxjerr thikën, fillon ta godasë fillimisht të pandehurin Mustafë Mustafa dhe atë një herë në gishtin 2 dhe një herë në gishtin e 5 të dorës së djathtë, dhe një herë në regjionin e majtë të shpinës, e më pastaj e godet shumë herë edhe të pandehurin Avni në pjesë të ndryshme të trupit.
Tutje sipas aktakuzës, duke u rrahur dalin jashtë hotelit dhe në anën e majtë të daljes, në rrahje e sipër, nga afërsia, i akuzuari Avni shtie një herë me revole në drejtim të të ndjerit dhe predha e godet të njëjtin në regjionin e gjoksit, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse, më këtë sipas prokurorisë ka kryer veprën penale – vrasja.
Po ashtu, sipas aktakuzës, nga koha e papërcaktuar e deri më 19.03.2023, i pandehuri pa autorizim kishte poseduar armën e tipit “Zastava”, me të cilën e kishte kryer veprën penale – vrasja.
Me këtë, sipas Prokurorisë, ka kryer veprën penale – armëmbajtja pa leje.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Mustafë Mustafa në kohën dhe vendin e njëjtë akuzohet për veprën – pjesëmarrje në rrahje, dhe – armëmbajtje pa leje.
Ndërkaq i pandehuri Leutrim Mustafa akuzohet për veprën penale – manipulim me prova, pasi që me qëllim të shfrytëzimit të sendit në procedurë zyrtare ka pranuar nga Mustafë Mustafa çantën e tani të pandehurit Avni Mustafa në të cilën ishte revolja e tipit “Zastava” me të cilën akuzohet se kishte kryer vepra penale dhe të njëjtën e kishe fshehur në zyrën e tij, e të cilën pas kërkesës së Policisë e kishte dorëzuar në Polici.