Vrasja në Marmull të Gjakovës, gjykimi drejt përfundimit

Për vrasjen e Tunë Bezhit në fshatin Marmull të komunës së Gjakovës, ku të akuzuar janë babë e bir, Prek Gjugja dhe Alfred Gjugja, sot u kërkua të bëhej ekzaminimi psikiatrik i të akuzuarit Alfred Gjugja.

Kjo vrasje dyshohet të ketë ndodhur si shkak i një konflikti rreth një prone.

Alfred Gjugja i akuzuar për tre vepra penale, për vrasjen e Tunë Bezhit, për vrasjen në tentativë të Anton Nikollës dhe armëmbajtje pa leje, kur kishte dalë para gjyqit nuk ishte deklaruar për akuzat që i vihen në barrë.

Këto veprime, i akuzuari Alfred Gjugja i kishte bërë në shtëpinë e Anton Nikollës, pasi që në shtëpinë e të njëjtit kishin shkuar për të biseduar rreth pronës, që në konflikt ishte familja Gjugja dhe Tunë Bezhi.

Mbrojtësi i të akuzuarit Alfred Gjugja, avokati Ndrec Dodaj kishte propozuar një ekzaminim psikiatrik ndaj Alfred Gjugjës.

Ai tha se i mbrojturi i tij nuk ka ndonjë dokument që më parë ka pasur probleme psiqike, por që ky propozim ka ardhur në mënyrë që të vërtetohet forma e dashjes se veprës penale.

Një gjë të tillë e kundërshtuan prokurori i shtetit Ali Uka dhe avokatët e palëve të dëmtuara.

Ndërsa, trupi gjykues i përbërë nga kryetari Mentor Bajraktari, bashkë me anetarët Besarta Doli dhe Besnik Bislimaj, refuzuan propozimin për kryerjen e ekzaminimit psikiatrik të të akuzuarit Alfred Gjugja.

Data 2 dhjetor u caktua për mbrojtjen e të akuzuarit.

KALLXO.com ka raportuar për këtë rast.

Babë e bir ishin ballafaquar edhe me dëshmitarë të këtij rasti.

Sipas aktakuzës, më 12 mars 2019, në fshatin Marmull të komunës së Gjakovës, afër shtëpisë së Anton Nikollës, i akuzuari Alfred Gjugja ka privuar nga jeta tani të ndjerin Tunë Bezhi.

Aktakuza shpjegon që pas një mosmarrëveshje pronësore që ka pasur i ndjeri Tunë Bezhi nga Martin Gjugja, vëllai i të akuzuarit Prek Gjugja, kishte blerë një parcelë toke, për të cilën tokë nuk ishte pajtuar familja e të akuzuarit.

Atë ditë në shtëpinë e Anton Nikollës, ishin mbledhur për të biseduar rreth qështjes së pronësisë, Tunë Bezhi, Zefë Kita, Lekë Bezhi dhe Prek Gjugja, mirëpo të njëjtit nuk kishin arritur marrëveshje- thuhet në aktakuzë.

Pas mospajtimit, i akuzuarit Prekë i kishte telefonuar djalit të tij Alfredit dhe i kishte treguar që nuk kishin arritë asnjë marrëveshje, e më pas i akuzuari Alfred kishte marrë pushkën automatike, me të cilën kishte gjuajtur 12 herë në drejtim të veturës së Tunë Bezhit.

Aktakuza thotë se më pas Tunë Bezhi për tu larguar nga i akuzuari Alfred, kishte dalë nga vetura por i akuzuari Alfred kishte gjuajtur në drejtim të viktimës, duke e goditur në abdomen në pjesën e poshtme, e duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Alfred Gjugja ka tentuar ta privojë nga jeta edhe të dëmtuarin Anton Nikolla, sepse i njëjti kishte tentuar ta parandalojë Alfredin, por kishte marrë një plumb në këmbën e majtë nga i akuzuari Alfred Gjugja si dhe ishte goditur me kodak të pushkës.

Aktakuza e Prokurorisë thotë se i akuzuari Alfred kishte ikur në drejtim të Rezinës dhe pas pas bisedës me Tunë Gojanin ishte kthyer në shtepinë e tij dhe pastaj ishte dorëzuar në Polici.

Ndërsa i akuzuari tjetër, Prek Gjugja, akuzohet se me dashje ka ndihmuar djalin e tij Alfredin për kryerjen e veprës penale të vrasjes.

Për Prek Gjugjën, aktakuza thotë se i njëjti të akuzuarit Alfred, i ka krijuar kushte për kryerjen e veprës, sepse i ka treguar për mos arritjen e marrëveshjes për çështjen pronësore.

Gjykata e Gjakovës në muajin mars 2019, pas aprovimit të kërkesës së Prokuroriaë, kishte lënë Alfred Gjugjajn në paraburgim.

I akuzuari Alfred Gjugja dyshohet të ketë privuar nga jeta Tunë Bezhi duke lënë të plagosur edhe Anton Nikollën, për qështje pronësore, e njëkohësisht kishte rrezikuar jetën e Zef Kitës dhe Lek Bezhit.

Ky rast kishte ndodhur për shkak të një mosmarrëveshje pronësore, pasi që Tunë Bezhi kishte blerë një tokë nga vëllau i të dyshuarit Mark Gjugja, për të cilën tokë nuk ishte pajtuar i pandehuri Alfred Gjugja.